Kursimet në banka ishin më të ulëta në mars, krahasuar me janarin dhe shkurtin.  Të dhënat tregojnë, totali i depozitave arriti në rreth 1.49 trilionë lekë, me rënie rreth 0.5%. Pra, një pjesë e tyre janë tërhequr, për shpenzime të përditshme apo investime. Sipas Bankës Qendrore depozitat bankare në monedhën vendase, ranë me rreth 6 miliardë lekë gjatë marsit dhe tërheqjet janë bërë kryesisht te llogaritë rrjedhëse, ndërsa depozitat në euro e dollarë kanë rënë në nivelin e 2 miliardëve lekëve.

Megjithatë, nuk ka ndonjë ndryshim të madh në preferencat e qytetarëve, ata vazhdojnë t’i mbajnë kursimet në të njëjtën mënyrë si më parë, pa lëvizje të forta nga një monedhë në tjetrën. Nëse shohim kush kursen më shumë, familjet dhe individët mbeten sërish grupi kryesor.

Ata mbajnë pjesën më të madhe të depozitave në banka. Edhe pse ka disa luhatje të vogla nga një muaj në tjetrin, kursimet e tyre mbeten në nivele të larta. Nga ana tjetër, bizneset po lëvizin më shpesh paratë e tyre, çka lidhet me aktivitetin ekonomik dhe pagesat që kryejnë. Në përgjithësi, marsi tregon një vazhdim të uljes së lehtë që nisi pas janarit.

Nuk kemi të bëjmë me një rënie të fortë, por me një normalizim të situatës. Niveli i depozitave mbetet i lartë, çka është një shenjë pozitive për stabilitetin e sistemit bankar dhe për faktin që qytetarët dhe bizneset ende kanë një bazë të qëndrueshme kursimesh.