Zërat mbi të ardhmen e Interit vazhdojnë dhe “Tuttosport” e ka pasuruar edhe më tej lajmin mbi shitjen e mundshme të klubit. Stiven Zhang kërkon plot 1.3 miliardë euro për të hequr dorë nga pronësia dhe sipas medias studimi për llogaritë e klubit ka nisur prej disa javësh nga fondi i mbështetur nga Arabia Saudite (ka indikacione në rritje se është “Investcorp”), i cili e paraqiti ofertën e tij për bankën amerikane “Raine Group”, e caktuar për gjetjen e blerësve për Interin.

Nga Interi ka ardhur një mohim, por diçka duket se po lëviz rreth klubit, duke qenë se hyrja në skenë e një bashkëbiseduesi të fortë për “Suning” është konfirmuar nga shumë në qarqet financiare dhe juridike në Milano. Nga sa duket, fondi i përbërë nga sipërmarrës sauditë (fondi “Mubadala” ose siç u nënvizua tashmë “Investcorp”, i cili është i bazuar në Bahrejn, por përfiton nga fondet që vijnë nga Arabia fqinje) është gati të kënaqë kërkesat e Zhangut duke e vlerësuar klubin duke përfshirë bonuset në 1.3 miliardë euro. “Inter? As e konfirmojmë dhe as e mohojmë lajmin”, ka qenë përgjigja e lëshuar nga zëdhënësi i fondit, me median italiane që raporton se bisedimet janë në fazë të avancuar.