26 maj 2015 – Vizita e parë e një kryeministri serb në vendin tonë, blindon kryeqytetin dhe jo vetëm, ku në një pjesë të akseve të rëndësishme do të jetë i ndaluar qarkullimi i automjeteve.
Nga ora 10:00 do të nisë bllokimi i hyrjes për në autostradën Tiranë-Durrës. Gjithashtu aksi Rinas-Qafë Kashar, mbikalimi i Kamzës, Rruga e Durrësit, sheshi ‘Skënderbej’, bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, sheshi ‘Nënë Tereza’ do të kenë kufizime gjatë vizitës dy ditore të kryeministrit Aleksandër Vuçiç.
Për garantimin e sigurisë së Vuçiçit, prej dy ditësh në Tiranë kanë mbërritur edhe agjentë të sigurisë së gardës serbe.
Sot, duke nisur nga ora 00:00 nuk do të lejohet asnjë parkim në aksin rrugor: Rinas- Qafë Kashar, sheshi ‘Shqiponja’, rruga ‘Dritan Hoxha’ (në të dyja senset), Rruga e Durrësit, sheshi ‘Skënderbej’, bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, rruga “Ismail Qemali” (nga TVSH-ja në drejtim të Liceut), Rruga e Elbasanit deri te Pallati i Brigadave.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/