PRISHTINE- Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka refuzuar ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një blloku opozitar kundër qeverisë së Hashim Thaçit. 

Siç raportojnë mediat kosovare, Haradinaj është takuar mbrëmë me kreun e Vetëvendosjes. 
Albin Kurti, të cilit i ka bërë të qartë qëllimin e partisë së tij për të bashkëpunuar me partinë në pushtet, PDK-në, për krijimin e një koalicioni të ri qeveritar. 

Kurti, ndërkaq, ka thënë se e ka ftuar Haradinajn për formimin e një blloku opozitar kundër qeverisë së Thaçit, për çka nuk ka marrë përkrahjen e tij.

Liderët opozitarë kanë shpalosur edhe qëndrimet e tyre krejtësisht të kundërta për procesin e bisedimeve me Serbinë dhe procesin e privatizimit në Kosovë. Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se nuk ka asgjë të përbashkët me programin e VV-së, por ka thënë se respekton të gjithë ata që e kanë marrë votën e popullit.