Këto ditë janë mjaft intensive për boksierin e talentuar të Teutës, Ardit Murja. Përpara ka ndeshjen e 20 majit në Tiranë, me rivalin e tij nga Gjeorgjia, Khvicha Gigolashvili, përballje që po e pret me emocione.

Fitorja e këtij dyluftimi do t’i hapte rrugën Arditit për përballje më të rëndësishme në boksin profesionist.

“Synimi është për ndonjë titull Evrope, me ndonjë kundërshtar më të fortë sesa boksieri gjeorgjian. Një renditje më të mirë në boks dhe pse jo mos të kemi një titull Evrope në Shqipëri.”,- thotë Murja për “DurrësLajm”.

Për trajnerin Enton Kikrri, ndeshja e së premtes është e një rëndësie të veçantë. Ai beson fort tek boksieri i tij, që regjistron 7 fitore në përballje ndërkombëtare.

Po ndërsa stërvitet prej 12 vitesh tashmë në sportin e boksit dhe regjistron tituj kampion në rang kombëtar, Arditi e ndjen mungesën e vëmendjes së shtetit.

“Gjëja kryesore këtu në Shqipëri është që nuk të mbështesin, nuk kemi trajtime, nuk kemi një dietë. Thjesht marrim vetëm urime. Duhet një suport, një mbështetje sa më e madhe për sportistët”,– thotë boksieri durrsak.

Falë mbështetjes së donatorëve si Ecosoft dhe Albania Diesel, Ardit Murja ka mundur të mbulojë deri më tani shpenzimet për të gjitha kompeticionet ku ka marrë pjesë. Në një kohë kur shumica e të rinjve po largohet masivisht nga Shqipëria, Arditi synon qëndrimin këtu, megjithëse e ka menduar emigrimin.

Ekipi i Teutës në sportin e boksit ka në përbërjen e tij 80 sportistë, mes të cilëve emra të njohur që kanë ngritur lart tituj dhe kupa në përballjet brenda dhe jashtë vendit.

Me dëshirën e madhe për t’u bërë boksierë të njohur në të ardhmen, në palestrën e ekipit Teuta stërviten intensivisht dhjetëra të rinj çdo ditë. Arritjet e deritanishme të Ardit Murjas, Ergys Toçit, Orgito Llahos etj janë një motiv më shumë për ta për suksese personale në të ardhmen.

M.B.