Krahas ndërtimit të dy godinave të para rezidenciale, ku punimet kanë nisur tashmë, “Durrës Marina” do të zhvillohet më tej me pastrimin dhe bonifikimin e plazhit në pjesën lindore të portit të Durrësit, që do të lidhet me shëtitoren bregdetare dhe plazhin klasik të sektorit Apollonia.

Erlis Hereni, administrator i kompanisë ASDC (Albanian Seaports Development Company) shpjegon më shumë detaje në intervistën dhënë për “DurrësLajm” sesi do të kryhet ky proces dhe lidhjen e projektit “Durrës Marina” me qytetin 3000-vjeçar.

“Durrës Marina krahas ndërtimit të dy godinave të para u është drejtuar institucioneve, të cilat pararendin kërkesën për leje në KKT, për të filluar bonifikimin , me qëllim krijimin e plazhit të ri në pjesën lindore të portit të Durrësit.

Me pastrimin dhe bonifikimin e zonës përfitojnë edhe pjesa e fillimit të plazhit klasik të portit të Durrësit. Së fundmi do të ketë edhe një promenadë, shëtitore, e cila do të lidhë shëtitoren që po ndërtohet nga bashkia e Durrësit, për të krijuar kështu një kohezion të këtij projekti bashkë me pjesën tjetër të plazhit. Në fund të ditës ky projekt nuk është “gated community”, nuk do të jetë projekt i mbyllur, nuk do të ketë kufinj. Atje ku sot është kufiri i sigurisë i portit të Durrësit, nesër do të jetë një brez jeshil me shkurre dekorative dhe lule që do të bëjë ndarjen e senseve të rrugës, sepse kjo lagje e madhe e qytetit që po krijohet është pjesë e qytetit të Durrësit”,– tha ndër të tjera administratori Hereni.