Një mbrëmje e bukur letrare mblodhi në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit shumë figura të njohura të artit dhe kulturës. Botimi në Francë i librit më të fundit të poetit Met Dervishi ishte ideuar jo thjesht si një bisedë me pyetje përgjigje të autorit dhe përkthyesit të tij Fatmir Lazo për të zbuluar shumë nga të pathënat e 7 poemave të librit “Les verbs dela contraverse”, por edhe me intervale poetike.
Publiku shqiptar është njohur me poemat e Dervishit vetëm përmes rrjeteve sociale, pasi autori është skeptik për publikimin e vëllimit poetik “7 ditët e krijimit” në shqip.
Në vëllimin e tij, Dervishi mes vargjeve poetike shpreh revoltën e një shpirti krijues ndaj kulturës aktuale perëndimore dhe rëndësisë që merr shpesh forma kundrejt përmbajtjes në jetën komunitare dhe marrëdhëniet ndërpersonale në botën perëndimore.
Për përkthyesin Fatmir Lazo, përkthimi i poemave të Dervishit nuk ka qenë një proces i lehtë, pasi poezia e autorit durrsak nuk është aq e lehtësisht e depërtueshme, që në lexim të parë.
Botimi i vëllimit të tij poetik në Francë është një arritje e rëndësishme për autorin durrsak, që librave, publiçistikës dhe pedagogjisë i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij.
M.B.