Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Brands” në Durrës, goditet një rast i tentativës për tregtim të mallrave të futura kontrabandë në vendin tonë, arrestohet në flagrancë transportuesi i tyre.

Policia ka sekuestruar artikuj të ndryshëm (veshje dhe këpucë, pjesë të reja makinash dhe elektroshtëpiake) të dyshuar të kontrabanduar që u kapën në furgonin tip “Benz” të një 32-vjeçari.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e tregtimit dhe transportimit të mallrave që janë futur kontrabandë, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Brands”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

-F. Z., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuar”, “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në furgonin tip “Benz”, që drejtohej nga 32-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, artikuj të markave të ndryshme (veshje dhe këpucë), pjesë të reja makinash dhe elektroshtëpiake, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar në autoritetet doganore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.