Kryetari i PD në Durrës, Dritan Burgija përmes një deklarate për mediat ka denoncuar ditën e sotme se si kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako kërkon të blejë vota me fondet e tërmetit, katër vite pas tragjedisë së rëndë. 

Burgija ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që Sako e bën këtë gjë, pasi në zgjedhjet e kaluara ajo u gjobit nga KQZ-ja. 

Deklarata e Plotë:

Kanë kaluar katër vjet nga tërmeti i nëntorit 2019 por qytetarët e Durrësit vazhdojnë të jetojnë në çadra apo jashtë shtëpive të tyre. Është e qartë për këdo që Shqipëria tanimë nuk është në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore të tërmetit por qytetarët e prekur nga kjo fatkeqësi ndodhen në gjendjen e fatkeqësisë së shkaktuar nga keqqeverisja dhe abuzimi me pushtetin dhe fondet publike.

Qytetarët durrsakë vazhdojnë të përplasen dyerve të bashkisë sepse u duhen përsëri për votimet e rradhës së kryebashkiakes. Duke zvarritur procesin dhe fondet që i akordohen, kryebashkiakja e Durrësit pret zgjedhjet të miratoje grantet dhe listat e përfituesve duke zhvilluar mbledhje të Këshillit Bashkiak, të thirrura jashtë rradhe, në urgjencë, e duke shkelur Kodin Zgjedhor. Neni 91 paragrafi 4 ndalon shprehimisht ndarjen e fondeve publike në favor të zgjedhësve për një periudhe kohore prej 4 muaj para datës së zgjedhjeve.

Komisioni Shteteror i Zgjedhjeve e ka gjobitur dhe në zgjedhjet e kaluara Emirjana Sakon për shkelje te tilla. Sigurisht qelë halli i Sakos është i madh dhe ndonëse është përsëritëse në shkelje, nuk ndalet të përdorë të njëjtat mënyra të cilat janë denoncuar nga PD, shoqëria civile dhe janë gdhendur në raportin e OSBE/ ODIHR. Qytetarët durrsakë janë të lodhur dhe mezi presin t’u normalizohet jeta. Ata nuk do falin asnjë minutë të abuzimit të pushtetit me fatkeqesinë e tyre. Kopjet e vogla të qeverisë së korrupsionit dhe skandaleve në 14 Maj do marrin përgjigjen e merituar.