1500 studentë të të dy cikleve të studimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit u diplomuan mbrëmjen e së premtes gjatë një ceremonie plot emocione, lule, por edhe lot gëzimi.
Kjo ishte ceremonia e 14-të e diplomimit që UAMD organizon që nga viti 2006, kur hapi dyert për herë të parë për studentët.
Në fjalën e rastit, rektorja Kseanela Sotirovski renditi disa nga arritjet më të rëndësishme të këtij institucioni të dijes.
“UAMD është sot krenar të numërojë 5 diploma të dyfishta me universitete prestigjioze në Evropë dhe më e rëndësishmja, UAMD është i vetmi në Shqipëri që ka marrë vulën e Universitetit Evropian dhe është pjesë e Aleancës së Universiteteve Evropiane, që do të thotë se në fund të 4 viteve me buxhetin e BE-së, në bashkëpunim me 8 universitete prestigjioze në Evropë, diplomat tona do të unifikohen, kurrikulat që do të zhvillohen tek ne do të zhvillohen edhe në 8 universitetet evropiane.”,– tha Sotirofski.
Mes morisë së 1500 studentëve që u diplomuan, spikatën emrat e 5 ekselentëve të këtij universiteti, të cilët u vlerësuan me certifikatë për Arritje Akademike.

Studentët ekselentë
Lidia Reçi– Fakulteti i Edukimit
Marlind Cakani– Fakulteti i Biznesit
Kamila Karaj– Fakulteti i Shkencave Politike Juridike
Jona Metalla– Fakulteti i Studimeve Profesionale
Elsa Demushi– Fakulteti i Teknologjisë së informacionit
Dy prej studentëve ekselentë thanë për mikrofonin e “DurrësLajm” se ndihen të privilegjuar që kanë studiuar në UAMD.
“Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, por edhe e vështirë. Me mbështetjen e pedagogëve dhe lektorëve më është bërë më e lehtë. Ata kanë arritur të promovojnë tek ne vlerat dhe parimet për të ecur përpara”,– tha studentja e sapodiplomuar e masterit, Kamila Karaj.
“Unë jetoj në Tiranë dhe ka qenë pak e vështirë për shkak të vështirësisë për të ardhur në shkollë, por UAMD ma ka bërë më të lehtë të arrij këto rezultate”,– tha studenti Marlind Cakani.
Ceremonia e diplomimit që u zhvillua në Kampusin Universitar në Spitallë rezervoi për të gjithë të pranishmit një surprizë mjaft të bukur.
Studentja Angelina Doga, nga Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike, përjetoi dy emocione të forta. Gëzimit për marrjen e diplomës, iu shtua edhe propozimi për martesë i bërë nga personi i saj i zemrës, Manueli.

I ulur në gjunjë pranë një zemre të kuqe, Manueli mori përgjigjen e shumë dëshiruar.

Më pas, hedhja e përvitshme në ajër e kapeleve të të sapodiplomuarve përmbylli në mënyrën më të bukur ceremoninë.
M.B.