Të huajt dynden në Shqipëri për të birësuar fëmijët e braktisur nga prindërit. Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës në Durrës, Heroina Duka, dje bëri me dije se është shtuar numri i çifteve nga vende të ndryshme të Europës, që kërkojnë birësimin e fëmijëve shqiptarë. Sipas saj, 40 për qind e kërkesave për birësimin e vogëlushëve jetimë janë nga të huajt.
Sipas Dukës, shtetasit e huaj nuk refuzojnë birësimin e fëmijëve që kanë probleme shëndetësore. Ajo pohoi se një fëmijë me virusin HIV, i braktisur nga prindërit, është birësuar nga një çift francez, ndërsa një çift italian pritet të birësojë para vitit të ri një vajzë që ka lindur me vrimë në zemër. Ndërkohë, drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës në Durrës pohoi se gjatë këtij viti janë birësuar 10 fëmijë, ndërsa 10 të tjerë janë në proces birësimi.
Zonja Duka, sa fëmijë janë birësuar gjatë këtij viti?
10 fëmijë kanë familjet e tyre të reja, ndërsa për 10 të tjerë po kryhen procedurat. Bëhet fjalë për fëmijë nga 3 muaj deri në 3 vjeç. 6 fëmijë janë birësuar nga prindër shqiptarë dhe 4 nga të huaj.
Si janë procedurat e birësimit të fëmijëve?
Procedurat nisin në kohën kur fëmija strehohet e sistemohet në shtëpinë e fëmijës këtu në Durrës me urdhër të shërbimit social. Ne nisim të gjitha procedurat për t’u njohur ky fëmijë i braktisur nga prindërit e tij biologjikë. Më pas ne nisim procedurat në gjykatë dhe me vendim të këtij institucioni, fëmija konsiderohet i braktisur. Ne kemi afat tre muaj për fëmijët që braktisen në momentin e lindjes. Me vendimin e gjykatës dosja e fëmijës i kalon Komitetit Shqiptar të Birësimit. Ky komitet vendos më pas për birësimin e tyre.
A ka kërkesa për të birësuar fëmijët e braktisur?
Të interesuarit aplikojnë pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit në Tiranë. Kam mësuar se ka shumë kërkesa dhe kërkesat janë më të larta se sa ka fëmijë aktualisht.
Mbi çfarë kriteresh birësohet një fëmijë?
Duhet që familja birësuese të plotësojë të gjitha kushtet për mirëqenien dhe edukimin e fëmijëve. Jo të gjithë munden të birësojnë fëmijë. Familjet shqiptare janë prioritare. Nëse për 6 muaj, fëmijët qëndrojnë në pritje dhe nuk birësohen nga çifte shqiptare, u jepet e drejta të huajve.
Cilat janë preferencat e të huajve në lidhje me birësimin e fëmijëve?
Të dhënat janë konfidenciale, por të huajt ndryshe nga familjet shqiptare, nuk kundërshtojnë të marrin fëmijët që kanë probleme shëndetësore. Një fëmijë me virusin HIV, i braktisur nga prindërit, është birësuar nga një çift francez, të cilët me sa kam mësuar, kanë bërë çdo gjë që fëmija të kurohet dhe ia kanë arritur qëllimit. Të huajt kanë mundësi financiare dhe arrijnë rikuperimin e shëndetit të fëmijëve të tyre.
Këtu është edhe një vajzë e vogël që ka probleme shëndetësore. Kush ka kërkuar birësimin e saj?
Po, vajza ka lindur me vrimë në zemër. Shëndeti i saj është duke u përmirësuar. Një çift italian ka rënë në dashuri me vajzën e vogël dhe presin që para Vitit të Ri ta marrin në shtëpinë e tyre. Nëna adoptuese është shumë e lidhur me vogëlushen dhe kjo e fundit me të. Presin vetëm vendimin e gjykatës që të bashkohen. Bashkëshortët italianë janë shumë humanë dhe kanë pranuar kurimin e vajzës.
Çiftet a kanë mundësi që t’i zgjedhin fëmijët para se t’i birësojnë?
Jo, vendimet merren nga Komiteti Kombëtar i Birësimeve dhe prindërit vijnë këtu me vendimin e tyre. Bëjnë disa seanca ku njihen me fëmijët dhe çdo seancë njohjeje është emocion i vërtetë. Vogëlushët lidhen me prindërit birësues dhe shkëputja prej tyre deri në vendimin përfundimtar nga gjykata është torturë për të dyja palët.
Zonja Duka, sa fëmijë keni në total këtu?
40 fëmijë, ku 20 janë rezidentë dhe 20 ditorë. Nga 20 fëmijë të braktisur, vetëm 2 prej tyre i njohin nënat biologjike që vijnë dhe interesohen. Këta fëmijë më së shumti kanë nevojë vetëm për dashuri dhe një familje.
K.H.