Biznese shqiptare dhe italiane së bashku për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të diskutuar rreth metodave më të reja, që objektiv kryesor kanë maksimalizimin e fitimeve të tyre. Një “martesë” siç u cilësua gjatë trajnimit ky bashkëpunim, që ishte pasqyruar mjaft bukur edhe në logo, ku shkriheshin së bashku flamujt e të dy vendeve.
Pasditen e së martës, në Durrës u mbajt një event unik, i pari i këtij lloji, që konsistonte në një trajnim të kompanive shqiptare, që duan vërtet të përmirësojnë situatën e tyre ekonomike. Eksperienca më e mirë italiane, që ka rezultuar mjaft e suksesshme këto kohë, iu prezantua sipërmarrësve shqiptarë përmes dy trajnerëve nga vendi fqinjë.


“Në këtë trajnim kemi investitorë shqiptarë dhe italianë, mund të shkëmbejmë edhe eksperiencat tona. Në ditët e sotme është e vështirë për sipërmarrësit të ndalojnë dhe të marrin kohë për të menduar për strategjitë, që do të aplikojnë në bizneset e tyre. Objektivi ynë sot është të ndalojmë për disa momente për të menduar si do t’i organizojmë bizneset tona, për t’i kthyer ato në sipërmarrje më fleksibël me tregun”, tha njëra nga trajnueset, Pina Ciccocioppo.
“I kemi kaluar më përpara në Itali këto vështirësi. Kemi ndihmuar qindra sipërmarrës të bëjnë ndryshime. E rëndësishme është të jemi të ndryshëm, në varësi të kompanive tona, duke krijuar mundësinë që gjithsecili të jetë i ndryshëm dhe të ketë një vlerë të caktuar në tregun botëror dhe të jetë fitues krahasuar me të tjerët”,- tha trajnuesi Roberto Bonazzi.
Për sipërmarrësin durrsak Xheni Matuka, pjesëmarrja në këtë trajnim historik merr një rëndësi të veçantë.
“Në momentin që biznesi has vështirësi, ka nevojë për mendësi të reja, për ndryshime dhe prandaj jam këtu. Mendoj se do të ketë pritshmëri më shumë në ndryshimin e modelit të të bërit biznes”.

Bashkëpunimi i sipërmarrjeve italiane me ato shqiptare ka qenë i hershëm, duke bërë që urat lidhëse të forcohen gjithnjë e më shumë. Këtë e dëshmon edhe fakti që sipërmarrësi Daniele Cavallini ka ardhur enkas nga Italia për të ndarë historinë e tij të suksesit, pas pjesëmarrjes në këto trajnime në vendin e tij.
“Shqipëria paraqet mundësi shumë të mira për investitorët italianë. Unë vetë kam pasur biznes këtu vite më parë dhe kam pasur marrëdhënie shumë të mira me bashkëpunëtorët e mi. Sipërmarrësit italianë këtu gjenden shumë mirë, edhe për shkak të ngjashmërive mes dy vendeve tona. Për sipërmarrjet shqiptare është e domosdoshme të investojnë në makineri dhe pajisje, sepse nëse duan të kenë punë duhet të jenë të lidhur me tregun e huaj”,- tha Cavallini.
Sipas trajnuesve italianë ka 2 lloje sipërmarrësish në botën e biznesit; “skeptikët” dhe “skeptikët inteligjentë”. Mjaft e rëndësishme në këto kohë është të jesh i hapur për të aplikuar dhe implementuar metodat më të suksesshme për të zhvilluar përpara biznesin dhe për të qenë konkurues e pse jo dhe lider në treg.
M.B.