Çmimi i miellit u rrit me 15 për qind brenda një jave në tregun vendas, duke reflektuar zhvillimet në tregun ndërkombëtar dhe sidomos të korrat e dobëta në hemisferën veriore të globit.

Pikat e shitjes me pakicë i shitën dje 100 kilogram miell kundrejt 5,500 lekëve nga 5,000 lekë që ishte çmimi para një javë.

Tregtuesit e shumicës pohuan se rritja po vjen për shkak se furnizimet e reja nga importi po bëhen me çmime më të larta.

Një ton grurë u shit me 273 dollarë në tregjet ndërkombëtarë me datën 23 gusht 2021. Kjo ishte vlera më e lartë që nga vjeshta e vitit 2012.

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve referojnë se çmimet e larta po vijnë si rrjedhojë e prodhimit te dobët këtë vit në Rusi dhe Kanada, furnizuesit kryesorë të tregut global me grurë. Prodhimi në hemisferën veriore paraqitet me një deficit rreth 21 milionë tonë këtë vit. Por analistët e tregut global janë optimistë se situata do të përmirësohet nga korrjet më të mbara në hemisferën jugore.

Megjithëse prodhuesit e mëdhenj i kanë shtuar sipërfaqet e mbjella këtë vit, ndryshimet klimaterike me përmbytje e thatësira i kanë dështuar korrjet në disa plantacione.

Rritja e çmimit të grurit, një produkt bazë në konsumin global pritet të sjellë një rritje zinxhir të çmimeve në produktet dhe nënproduktet e brumit.

Njësitë e shitjes me pakicë pohojnë se është rritur çmimi i makaronave, teksa lajmërojnë ndryshim edhe të çmimit të bukës.

Gjatë pandemisë rezervat e grurit ranë dukshëm për shkak të shitjeve rekord në muajt e parë të karantinës në fillim të vitit 2020, por situata u kthye në normalitet me hapjen e ekonomisë.

Meqenëse gruri është një mall i tregtueshëm, niveli i çmimeve të tij është i lidhur ngushtë me dinamikën e tregjeve ndërkombëtare dhe nga faktorë të tillë si ndryshimet klimatike, rendimentet e prodhimit, çmimet e naftës, etj.

Të ardhurat e kompanive që tregtojnë miell kërcënohen si nga çmimet më të larta të grurit ashtu edhe nga presioni publik për çmime më të ulëta të bukës. /Monitor