Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takimin e radhës me homologun Hashim Thaçi, nëse autoritetet në Preshevë nuk heqin përmendoren e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Mevdegjës dhe Bujanocit. 

Sipas raportimeve të mediave serbe, Daçiç ka thënë se afati i fundit për heqjen e përmendores nga Presheva është 17 janari. 

“Përmendoren do ta heqin vetë shqiptarët. Nëse ata nuk munden ose nuk duan, atëherë do ta largojë qeveria. Nuk do të shkoj në Bruksel nëse ajo përmendore nuk hiqet”, ka thënë Daçiç për gazetën “Blic”. 

Ai ka shtuar se përmendorja përbën një provokim, me të cilin synohet të tregohet se autoriteti 

i Serbisë nuk përfillet në këtë pjesë të territorit të saj. 

Takimi i radhës mes Daçiç dhe Thaçit është caktuar për në gjysmën e dytë të janarit dhe edhe këtë herë ai do të ndërmjetësohet nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton. 

Më herët Daçiç paralajmëroi me ndërprerje të bisedimeve nëse marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve nuk do të zbatohej sipas kushteve të Serbisë. 

Por ai u tërhoq nga ky opsion kur marrëveshja filloi të zbatohej dhe pasi Beogradi zyrtar vendosi të rishikojë platformën serbe për Kosovën. 

Dokumenti në fjalë hasi në kundërshtimin e fortë të faktorit ndërkombëtar, për shkak të kërkesave që përmbante, mes të cilave spikaste ajo për një entitet serb në Kosovë, njësoj si Republika Srpska në Bosnje.