Mbledhja jashtë radhe e Këshillit Bashkiak Durrës u karakterizua nga debatet për procesin e rindërtimit, për shkak se dhe pjesa më e madhe e 10 pikave në rendin e ditës lidheshin me të.
Kreu i grupit të këshilltarëve të koalicionit “Bashkë fitojmë”, Dritan Burgija, kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për abuzimet me procesin e rindërtimit, me të cilat sipas tij janë fituar dy palë zgjedhje në bashkinë Durrës.
“Në ditët në vijim do të depozitojmë kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për gjithë procesin e rindërtimit për faktin se në 4 vite nuk kemi qenë dhe këtu ka pika që ndryshojnë vendimet e KB-së të një periudhe që ne nuk kemi qenë pjesë. Vazhdojnë qokat politike me procesin e rindërtimit. Dy palë zgjedhje u fituan nga PS duke i blerë votat me buxhetin e shtetit”, – tha Burgija.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe këshilltari Ardian Muka, i cili akuzoi bashkinë për mungesë transparence mbi këtë proces.
“Nga ana e bashkisë nuk ka transparencë. Po të kishte transparencë absolute të këtij procesi dhe me transparencë kuptoj që gjithçka duhet të ishte e publikuar online, kush ka marrë, çfarë ka marrë etj. Fakti që opozita nuk ka qenë për 4 vite e përfaqësuar në Këshillin Bashkiak i lind e drejta të kërkojë transparencë.”- tha Muka
Akuzave të këshilltarëve të djathtë mbi procesin e rindërtimit iu përgjigj kreu i grupit të këshilltarëve socialistë, Rolant Xhelilaj, i cili e cilësoi sukses këtë proces për të gjithë qytetarët e Durrësit, pavarësisht bindjeve politike.
“Edhe shprehja që ne s’kemi qenë këtu mandatin e kaluar dhe nuk e dimë se çfarë është bërë prandaj ne kërkojmë është shprehje e çuditshme dhe nuk duhet marrë fare në konsideratë.
Megjithatë procesi i rindërtimit është sukses jo vetëm për Partinë Socialist, është sukses për qytetarët, që pas një situate tmerrësisht të vështirë, brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe shohin dritë në fund të tunelit. Përmirësimet janë të jashtëzakonshme dhe përmirësimet janë për qytetarin, sepse ai pallati që rindërtohet nuk ka as të majtë as të djathtë, as të qendrës, por qytetarë durrsakë të prekur nga tërmeti” .
Aktualisht në bashkinë Durrës janë rreth 2500 familje që prej 7 muajsh nuk marrin bonusin e qirasë.
Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan me votat e 42 këshilltarëve të pranishëm, me përjashtim të pikës nr.8 për të cilën 12 anëtarët e koalicionit “Bashkë fitojmë” votuan kundër.
Kjo pikë lidhej me miratimin e kërkesës për transferimin përfundimtar dhe përditësimin e të dhënave, të pronës me emërtimin “Parkim stacioni i trenit”.
M.B.