Kjo që shihni në pamjet filmike që po publikon “DurrësLajm” është ura që lidh fshatrat Jubë dhe Rrushkull, në bashkinë Durrës.

6 vite pas rikonstruksionit të saj, infrastruktura e urës është tërësisht e degraduar.

Automjetet që e përshkojnë çdo ditë atë rrezikojnë çarjen e gomave prej gozhdëve dhe hekurave që shfaqen mbi dërrasat e urës, por edhe rënien në lumin Erzen, pasi në pjesë të caktuara ajo është e amortizuar tërësisht.

Ura e tipit “Bejli” është e vetmja e këtij lloji që lidh mijëra banorë të fshatrave Jubë dhe Rushkull, që e përkasin njësive administrative Katund i ri dhe Sukth.

Nëse nuk ndërhyhet në mënyrë urgjente për rikonstruksionin e saj, amortizimi i mëtejshëm mund të shkaktojë edhe ndonjë tragjedi, pasi ajo përshkohet çdo ditë nga rreth 400 autovetura dhe më shumë se 30 kamionë.

Ura 115 metra e gjatë dhe 4 metra e gjerë u rikonstruktua në vitin 2017 me fondet e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe bashkisë Durrës. Investimi kapi shifrën rreth 16.6 milionë lekë.

6 vite më parë, kryebashkiaku i Durrësit në atë kohë Vangjush Dako, deklaroi se kjo urë ishte kthyer në një problem shqetësues për banorët, ndaj u vendos rindërtimi i saj dhe vënia në funksion të plotë për të lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe të mjeteve:

6 vite më pas, banorët e dy fshatrave rrezikojnë të mos përdorin rrugën më të shkurtër lidhëse të tyre, pasi mirëmbajtja e urës dhe riparimi i saj nuk është përfshirë në ndërhyrjet infrastrukturore të bashkisë Durrës.  

M.B.