Banorët e një pallati shumëkatësh në Durrës kanë protestuar sot para bashkisë, për punimet pa cilësi që janë bërë në godinën e tyre.

Ndërtesa 11 katëshe, që ndodhet pranë ish-URT-së, rezultoi me dëme DS4 nga tërmeti i 3 viteve më parë. Ajo i është nënshtruar riforcimit, që ka përfunduar në muajin prill. Por sipas banorëve, punimet janë difektoze.

Ata deklarojnë se nuk kanë energji elektrike në ambientet e përbashkëta, ndërsa në katet e para punimet lënë shumë për të dëshiruar.

“Dëmet tani janë më të shumta sesa përpara tërmetit! Pas tërmetit kishim vetëm muret e dëmtuara, tani janë shkallët, ashensori, pa drita, pa ujë, ujërat e zeza janë bashkë me të bardhat. Eshtë një rrumpallë aty, që s’merret vesh”,- thotë një banore.

“Të vijë bashkia në pallat dhe të shikojë situatën në të cilën ndodhet pallati. Janë komplet të prishura me shkallë, me kangjella, me ashensor etj”,- thotë një tjetër banor.

Pavarësisht se e kanë ngritur zërin disa herë dhe i kanë parashtruar ankesat e tyre në bashki, ato kanë rënë në vesh të shurdhët deri tani.

M.B.