Dëshira për t’u arratisur, gjatë ushtrisë, do sillte arrestimin e tij të mëvonshëm dhe dënimin me 14 vjet burg, që i kaloi në kampet më të vështira të punës si Spaç, Qafë-Bari etj. Pësoi madje edhe një aksident gjatë punës në minierë ku dëmtoi krahun dhe fytyrën, por edhe në kampet ku nuk punohej, siç ishte Lezha, jeta e të burgosurve nuk ishte më e mirë. Roland Toli kujton se pasi i rrihnin, si për ta çuar deri në fund poshtërimin e tyre, u jepnin ujë me kovat e tualeteve…

Z.Toli kur keni lindur dhe si ka qenë jeta juaj përpara se t’ju dënonin?

Unë kam lindur më 10 janar 1957, në një familje me shumë fëmijë. Duke më vdekur dy të parët, dy vëllezërit e mëdhenj, ngela unë i madhi. Mbas meje ishin dhe 4 të tjerë: dy djem, dy vajza, kështu që ishim 5 fëmijë dhe kushtet e këqija ekonomike detyruan të braktisnim shkollën ditën dhe të më marrë im atë mbas vetes dhe të më japë zanatin.

Çfarë zanati mësuat?

Saldator. Kështu që m’u desh të punoja me orë të gjata nga viti 1971, në 16 qeshor. Në 15 qeshor, kam mbaruar provimet e klasës së tetë, tetëvjeçares se kam hyrë 6 vjeç në shkollë dhe punoja saldator 12 orë në ditë. Për kohën kisha një rrogë shumë më të mirë se të tjerët ngaqë punonim 12 orësha me 5 mijë lekë në 15-ditësh ose 10 mijë lekë në muaj. Kuptohet, im atë ishte saldator me kategorinë e 7-të, ishte edhe si kryemjeshtër dhe nga ky shkak drejtuesit e atëhershëm e pranuan kërkesën e tij që unë të filloja punë me të drejtat e punëtorit e kategorisë së parë. Kështu që fillova punë në hekurudhën Elbasan-Përrenjas. Unë u shkëputa nga puna për shkak se shkova të shlyej shërbimin ushtarak. Ushtar shkova në Porto-Palermo për një kohë 4-muajshe sepse sjellja ime atje ishte e tillë, ku synimi me rrethin që kishim, planifikonim të arratiseshim për të kaluar në Greqi. Pavarësisht se ishte shumë kilometra, por me sy na dukej se ishte Korfuzi pranë dhe gjatë natës bënim stërvitje, në mëngjes dhe natën. Por gjatë kësaj kohe drejtori i drejtorisë xhenio, i Shqipërisë ishte çuni i dajës i nënës sime dhe duke marrë informacion se unë isha i implikuar me një grup tjerë ushtarësh për t’u arratisur më transferoi nga Palermo, më kaloi në Orikum.

Çfarë mjedisi gjetët në Orikum?

Edhe në Orikum pata kontradita të vazhdueshme me komandantin e pikës, me emrin Avni Zani se ishte individ që kudo që shkonte linte mbresa jashtëzakonisht negative me ushtarët dhe prej andej, përsëri më largoi e më kaloi në Dhëmblan të Tepelenës, ndërhyrja e dajës së Alfred Mojsiut.

Ku e përfunduat ushtrinë?

Në Dhëmblan të Tepelenës. Pastaj atje kreva të gjithë shërbimin ushtarak duke punuar në tunel si minator. Mbaruam ushtrinë dhe u kthyem përsëri në vendlindje.

Ishit i dyshuar prej atij episodi në Porto-Palermo?

Gjatë kësaj kohe shikoja që shumë njerëz të policisë më shoqëronin si nga larg, si nga afër dhe më patën tërhequr vëmëndjen. Vrisja mendjen cili ishte shkaku, çfarë kisha bërë. Pavarësisht se nuk isha në dijeni se çfarë kishin qëllim ata ndaj meje. Një ish-operrativ Gëzim, shef policie, shef i Sigurimit ka qenë atëherë, nga Korça, më thirri. Duke i ardhur rreth e rreth një diskutimi që kishte lidhje me largimin nga Shqipëria dhe çfarë unë mund të gjeja ose personi që ai personifikonte çfarë mund të gjente po të largohej nga Shqipëria. Unë në këtë rast heshta dhe nuk i jepja përgjigjen që donte ai. Duke mos qenë, që t’i lija të kuptonte që unë nuk isha në dijeni për çfarë ai fliste.

Po ju provokonin?

Nga ana e policisë jo një herë, por disa herë. Kalova në punë. Nuk më jepnin punë tjetër në zanat, por më dërguan në fermë dhe në fermë, Harmas quhet, te brigada Kol Doçit dhe shikoja që rreth meje shumë gjuetarë lëviznin duke më kontrolluar, ç’bëja unë dhe me cilët takohesha unë.

Sa kohë zgjati survejimi?

Kjo vazhdoi dy muaj, kjo sjellje e tyre. Një ditë më thërrasin tek ura e Bakallit. Dhe duke shkuar vetëm tek ura e Bakallit, i shoqëruar nga brigadieri Kol Doçi, më dalin përpara. Një opertiv nga Elbasani, çoban, del nga dera e një makine dhe në krahun tjetër del Ilir Mustafaraj ish- zëvendësministër i Brendshëm edhe më vuri pistoletën te koka. Ndërsa ky çobani, Sotiraq emrin, se mbiemrin nuk e di, më vuri hekurat. Nga aty, kalova në birucat e Elbasanit.

Çfarë ju thanë kur ju arrestuan?

“Në emër të popullit je i arrestuar”.

Jua komunikuan arsyen?

I thashë: “ Çfarë kam bërë?”. “Në emër të popullit je i arrestuar dhe mbylle gojën”. Fjalë për fjalë, kanë qenë fjalët e Ilir Mustafarajt. Aty kalova në izolim. Gjatë kohës që kalova në izolim, në birucat e Elbasanit, më futën edhe njerëz të cilët i kishin bashkëpunëtorë të tyre, por të dënuar. Njëri ka qenë shitësi i Kuqanit.

Cili ka qenë hetuesi juaj?

Hetues ka qenë Viktor Martini me Islam Llapin.

Sa kohë qëndruat në birucat e Elbasanit?

Katërmbëdhjetë ditë.

Ndërkohë ju merrnin në pyetje?

Pothuajse natë për natë merresha në pyetje nga Islam Llapi dhe Viktor Martini.

Si ishin kushtet e birucës?

Biruca, ta përshkruash sot, duket si diçka e pabesueshme, po duke mos pasur pajisjet e banjës, ishte pothuajse një banjo. Aty hynin batanijet, madje nuk lejonin që t’i shtrinin batanijet te dërrasa, por batanijet shtroheshin kur shkonte ora 8.00 e darkës. Mbas 17 ditëve, kalova në birucat e Tiranës. Në birucat e Tiranës, ishte një rregull tjetër, që dërrasat e poshtme, gjatë ditës, do t’i ngrije në këmbë dhe duhej të ecje nëpër çimento. Unë isha brenda në birucën numër 24, kam qenë tek vetëm. Nga goditjet e murit që i pata mësuar gjatë kohës së izolimit të Elbasanit, mësova se në birucën tjetër ishte Kasëm Trebeshina dhe vëllai im që ishte ushtar në Tiranë.

Ndërkohë kishin arrestuar edhe vëllanë?

Edhe vëllanë. Edhe mësova nëpërmjet goditjeve të Kasëm Trebeshinës, nëpërmjet alfabetit, atyre rregullave të burgut. Ju përgjigja që jam fillani dhe ai është vëllai im dhe ishte i akuzuar për krime kundër shtetit siç quheshin atëherë. E mësova më vonë gjatë hetuesisë edhe nga Fatos Trebeshina, Lekë Mylyshi.

Këta ishin hetuesit tuaj në Tiranë?

Në Tiranë. …dhe Sokol Koleka. Të tre këta ishin pothuajse… në momente të caktuara ishin edhe të tre, por më merrnin edhe tek e tek. Sa mbaroja me njërin më zbrisnin poshtë, në dhomë se ishin në kat të parë dhe hetuesia ishte në kat të dytë, pas gjysmë ore, më merrte tjetri, Fatosi ose Leka ose Sokoli. Madje nga Sokoli kam ngrënë edhe një goditje që kam rënë pa ndjenja. Se më ka goditur nga brenda derës, sapo hapa derën. Sa hapi derën polici, më ka goditur dhe e vura re pak kur kam qenë në çimento që ishte ai dhe kaloi nëpërmjet trupit tim doli përjashtë, Sokoli. Dhe më vonë e filloi hetuesinë Pal Mëlyshi, ai Lekë Mëlyshi, i vëllai i Palit se tani u kujtova, Lekë Mylyshi. Ishte shumë i qetë, jo agresiv, por Fatosi dhe Sokoli ishin tepër agresivë gjatë periudhës së hetuesisë.

Çfarë kërkonin nga ju?

Qëllimi i tyre ishte të më implikonin me një grup të cilët as nuk i kisha dëgjuar si emër, as nuk kisha pasur marrëdhënie më përpara, që ishin oficerë.

Për çfarë ju akuzonin?

Mua më akuzuan fillimisht bashkëpunim për përmbysjen e pushtetit popullor me disa oficerë, të cilët asnjëri prej atyre, edhe sot të më kujtosh, emrat nuk më kujtohen, nuk i njihja. Njëkohësisht dhe dy ushtarë me të cilët u dënova. Njëri është vrarë në kufi kur u lirua nga burgu, Kujtim Xhaja dhe tjetri Apollon Zenuni është larguar me tragetet a me ambasadat në Itali. Mora masën e dënimit 14 vjet.

Për çfarë akuzash jua dhanë dënimin si përfundim?

Unë jam dënuar për bisedë arratisjeje, tentativë. Bisedë arratisje, tentativë me 10 vjet heqje lirie.

Ndërsa 6 vjet jam dënuar për agjitacion e propagandë.

Cilët ishin dëshmitarët tuaj që e faktonin këtë?

Dëshmitarët e mi që më akuzonin ishin dy bashkëvuajtësit e mi që po dënoheshin dhe një ushtar nga Përmeti. Nuk më kujtohet emri i cili më akuzonte që kisha biseduar që kur të shkonte ai me leje, do të shkoja te fshati i tij me qenë se ishte pranë kufirit me grekun dhe që do të arratisesha, kjo ka qenë. Edhe u dënova për tentativë arratisjeje.

Po akuza “agjitacion dhe propagandë”, ku mbështetej?

Axhitacion e propagandë. Mbi të gjitha bëhej fjalë për shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Për numrin e drejtuesve që ia kalonte gjithmonë numrit të punëtorëve ku punohej. Në qoftë se do të ishin 5 saldatorë, 10 do t’i kishim drejtues, me bregadier, zëvendësbrigadier, me teknik, me inxhinier, elektriçist. Dhe këto konsideroheshin agjitacion kundër organizimit të pushtetit popullor. Pastaj kaluam në Spaç.

Sa kohë qëndruat në hetuesi në Tiranë?

Në Tiranë kam ndenjur, 4 gusht… nga maji, 1 maji deri në 4 gusht jam dënuar. Në shtator, kam kaluar në kaush që e quanim ne atëherë. Ndenjta një periudhë dyjavore në kaush dhe nga aty, autoburgut dhe përfunduam në Spaç.

Si ishin kushtet e punës dhe të jetesës në Spaç?

Në fillim, më dërguan te një dhomë që i përkiste zonës së dytë në Spaç që merrej me shfrytëzimin e piritit dhe nga aty, të nesërmen, mbasi na dhanë një palë çizme dhe një palë rroba bojë kafe na nxorën në punë, në zonë të dytë. Kushtet e punës atje ishin të jashtëzakonshme sepse… acidi, kundërmimi i acidit të digjte hundët kur shkoje lart në zonë të dytë edhe sa më shumë të afroheshe, kur kaloje pranë galerive, ato nxirrnin avull, ngaqë temperaturat jashtë ishin më të ulëta se sa ato brenda.

Si ishin kushtet e fjetjes?

Kushtet në kapanon… ne banonim 50 vetë. Ishin trekatëshe, krevatet.

Po ushqimi?

Ushqimi ishte mënxyrë. Ishte… në mëngjes kishe pilaf ose supra të ndryshme. Seç ishin supë me lakra të thata ose spinaq të thatë, ose pras të thatë që fillimisht kur do të ndahej gjella nga tenxherja do të hiqeshin krimbat, që të ndahej ushqimi nëpër pjatat e të gjithë dënuarve që kishin 8 vetë çdo tavolinë. Më një fjalë, që ishim për turnin që do të shkonim: i pari, i dyti, i treti dhe ishte mëngjesi. Kur vinim, kishim një pilaf, po supë kuptohet. Edhe në darkë kishim çaj dhe marmallatë molle, mëngjesi edhe qumështin. Qumësht pluhur të cilin e hanin dhe kapterrat, hanin dhe të dënuarit që ishn brenda. Me këtë ne duhet të bënim 8 vagona, dy palë trupa dhe një palë bira. Kjo ishte që të merrnim 100-përqindëshin.

Pati aksidente gjatë kohës që punonit në minierë?

Një ndër ata viktima jam vetë.

Ç’ndodhi?

Isha duke bërë birat nga krahu i djathtë. M’u shkëput një masë gurë piriti dhe nga atëherë jam i gjymtuar nga krahu i djathtë dhe me tatuazhe nëpër turinj, nëpër vetulla. Por kemi pasur edhe të tjerë që na kanë vdekur në dorë. Një e ka pasur emrin Kolë, Kolë Mani nga Shkodra që vdiq, ndërsa ai që shpëtoi, quhej Martin. Nuk më kujtohet mbiemri mirë, por Martin e kishte, kurse ai që u vra quhej Kolë Mani nga Shkodra, të dy nga Shkodra ishin. Edhe të tjerë të panumërt. Në vitin ’82, kur u bë amnistia, ne na kaluan në Qafë-Bari dhe Qafa e Barit deri atëherë kishte qenë e banuar nga të dënuar ordinerë, por duke qenë cilësia e bakrit në Qafë-Bari ishte shumë, shumë më e mirë se ajo e Spaçit, na dërguan ne, armiqtë, për shfrytëzimin e minerës ngaqë ishte e përzierë me piritin.

Si ishin kushtet në Qafë-Bari?

Në Qafë-Bari, banonim nëpër dhoma, me krevate dyshe për arsye sepse para ordinerëve atje kishin qenë të lirët që kishin punuar. Ordinerët një vit, pastaj shkuam ne.

Sa kohë kaluat në Spaç dhe sa kohë kaluat në Qafë Bari?

Në Spaç, siç ju thashë, kam shkuar në shtator të vitit ’79 ndërsa në Qafë të Barit kemi shkuar në 23 janar të vitit 1983.

Keni qenë aty gjatë revoltës së majit 1984…

Më 26 prill, hyra në izolim, në birucë. Në datë 22 maj, shpërtheu revolta e Qafës së Barit dhe ata pastruan të gjitha birucat. Më lanë vetëm mua në birucë, të tjerët i nxorën. Aty sollën të arrestuarit e darkës. Të ardhurit nga Tirana me helikopter, të cilët drejtoheshin nga ish-zëvendësministri Agron Tafa, i sollën në birucë: ata të cilët kishin planifikuar si krerë, Sokol Zef Sokolin, Tom Ndojën, si Haxhi Baxhinovskin e shumë e shumë të tjerë. I vetmi që s’kisha marrë pjesë në revoltë isha unë, i cili isha i akuzuar për dhunim të shërbëtorëve të shefit të sigurimit të kampit. Dhe aty u arrestova me ata njerëz të cilët akuzoheshin, megjithëse pjesa dërrmuese ishin intelektualë. Madje një nga ata është dhe Hajredin Fratari, Nuredin Skrapari, ka qenë Drago Vujosheviç mjek, ka qenë Dalip Zhaboli.

Ç’ndodhi pas revoltës? Si vepruan me ju?

Më pas na shpërfytyruan duke na dëmtuar fizikisht.

Çfarë kujtoni nga dhuna e ushtruar?

Ngaqë binim pa ndjenja nuk mund të them se ç’kishte ndodhur më tej. (1-37/ 1-40) Gjithmonë me dajak, me hu, shqip, madje jo me grushta, por me drurë (1-46/1-54) gjatë gjithë kohës deri sa na hipën në Ifa. Një pjesë e morën, e kaluan në birucat e Pukës; një pjesë, ne, na kaluan drejt Lezhës dhe në Vaun e Dejës, më ka bërë përshtypje se si njerëz të irrituar i kundërviheshin policëve, fshatarët.

Popullsia iu kundërvu policëve?

Atje është ai hidrocentrali, Vau i Dejës. Iu kundërvunë policëve me plisa dheu, makinave, Ifa-ve që na transportonin. Atë e kanë bërë vetëm banorët e Vaut të Dejës në atë kohë. Kjo na bëri shumë përshtypje edhe pse ishim të gjakosur nga turinjtë. Nga aty, pastaj kaluam në Lezhë. Në Lezhë, na priti një operativ, i nipi i Hysni Kapos, nga Vlora, njeri tepër negativ. Tepër tepër negativ. Po mos harro ai kishte çunin e xhajës së tij të dënuar, Aledin Kapo, për krime kundër shtetit dhe të tillë i kishin të ngatërruara marrëdhëniet e njëri-tjetrit.

Në cilin kamp në Lezhë?

Në Lezhë, te kampi që ishin të dënuarit politikë.

Punonit në atë kamp?

Aty nuk punuam fare ne, ishim vetëm të arrestuar. Madje kam qenë me Kasem Trebeshinën i cili rrinte i gatshëm, sa bëhej zgjimi të hynte polici, mos të më gjente të shtrirë në krevat, po të isha i ulur unë, që të mos më fuste në birucë. Megjithëse edhe ata më gjetën një rast kot dhe më futën në birucat e Lezhës. Dhe atje, 3 herë në ditë, dhunoheshim me dajak madje me kovën e… se nga dajaku kërkon ujë, me kovën që lahej banjo, po të kërkoje ujë, të jepnin për të pirë ujë.

Me kovën që laheshin banjot ju jepnin ujë?

Me kovat që laheshin banjot të jepnin të pije ujë, policët e Lezhës. Dhe ky i drejtonte në mënyrë të veçantë, ky Kapo, ky që ishte operativi i kampit.

Sa kohë qëndruat në Lezhë?

Ne kemi ndenjtur gati reth një muaj, jo më shumë. Madje atëherë u arrestua dhe Met Pojani. Met Pojani më ndihmonte mua në mënyrë të veçantë duke më pasur çun lagjeje dhe elbasanas. Sepse kush shoqërohej me ne, hynte në rreth të kuq. Pse më bënte shoqëri mua iu kundërvunë Met Pojanit edhe e ridënuan në Lezhë. I doli dëshmitar një shok i vet, një tiranas, një Berisha, nga Elbasani prapë.

Mbas Lezhës ku shkuat?

Nga Lezha shkuam në Burrel, nga Burreli erdhi urdhri i dytë që sa të zbrisnim nga autoburgu na kthyen prapë e na çuan në Spaç. Sepse zona e dytë Spaç ishte shumë e vështirë për shfrytëzim nga ana e ordinerëve, por kishte përditë nga një të aksidentuar, të vdekur. Dhe na kthyen ne përsëri meqë kishim qenë punonjës dhe pak a shumë e njihnim mineralin e piritit, mënyrën e shfrytëzimit.

Sa kohë kaluat në Spaç herën e dytë?

Në Spaç, përsëri kaluam gati një vit dhe na larguan në Batër. Dhe në Batër ishte një zonë e vështirë të cilën nuk e shfrytëzonin dot ordinerët për shkak të kromit.

Kur u liruat?

Unë jam liruar në 28 dhjetor të ’89-ës.

Ju kanë treguar familjarët për vështirësitë për të ardhur në takime në burg?

Kam pasur një djalë halle i cili ka qenë dhe portier i Labinotit dikur dhe kur vinte në takim, për të mos u vonuar shumë, ai nxirrte testerën e partisë, Bardhyl Shkurti, që “kam ardhur të takoj çunin e dajës”, sepse ai më ka ardhur nja tri herë. Tri herë dhe gjithmonë nuk nxirrte pasaportën, po nxirrte teserën e partisë që më takonte.

Pati pasoja familja juaj mbasi ju dënuan?

Po natyrisht, si të gjithë të tjerët edhe pse im atë ka qenë partizan në luftë, në brigadë të parë sulmuese. Gjatë kohës që unë u dënova, ai ishte në pension, por vëllezërve dhe motrave të mia nuk iu ofronte njeri bursa për të shkuar në shkollë të lartë.

Mbasi mbaruat dënimin, si ishte jeta juaj?

Erdhëm këtu pastaj. Unë kisha zanatin dhe im atë u interesua me të njohurit e vet. Fillova punë saldator në bonifikim, kam qenë me kategorinë e 7-të. Nuk vazhdoi shumë, nja 8 muaj, u arratisa, kalova në Greqi. Në ’91-shin jam arratisur bashkë me Agron, ka vdekur, Agron Pajovën dhe Agron Cankën. Ata të dy u kapën, unë kalova se preferova kur gjuajtën ushtarët…

Gjuajtën edhe në vitin 1991?

Zgjodha… “Më mirë- thashë- tek plumbat, se në birucat e Korçës”. Fati! Me vrap, shkuam, kapëm grekët, arrita te grekët.

Po me shokët çfarë ndodhi?

I kapën. Kurse unë nuk ndalova. Ata i kapën të dy, Agron Pajovën dhe Agron Cankën, ndërsa unë kalova, ika.

Deri kur qëndruat në Greqi?

Unë kam ardhur një javë para zgjedhjeve. Në mars u bënë zgjedhjet, unë kam ardhur në 22 shkurt para se të bëheshin zgjedhjet. Ishin bërë një palë, po të dytat. Në ’92-shin. Edhe që atëherë nuk ika më në Greqi.

/Nga arkiva Doko/ Kujto.al