Në zonën e njohur si “Fusha e Aviacionit”, forcat e Komisariatit Nr. 2 zhvilluan një operacion, ku u sekuestruan 1000 fara kanabisi, të cilat dyshohet se do të kultivoheshin në ambiente të mbyllura.
Këto fara dyshohet se kanë ardhur nga Kanadaja dhe janë të modifikuara gjenetikisht për të prodhuar kanabis me përmbajtje të lartë THC-je, me rendiment të lartë dhe në kohë më të shkurtër.
Vlera në treg e farave të sekuestruara llogaritet rreth 10 mijë euro. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua edhe poseduesi i tyre, 31-vjeçari Renis Aliaj, i cili i kishte fshehur farat në bagazhin e automjetit.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati Nr. 2, operacioni i koduar “Procesi”, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Arrestohet një shtetas që lëvizte me automjet, në Rrugën e Dafinave, për të shitur 1000 fara Cannabisi.
Si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë, si dhe intensifikimit të punës operative, me fokus parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar “Procesi”.
Në kuadër të operacionit, në Rrugën e Dafinave, u ndalua automjeti që drejtonte shtetasi R. A. Në automjet u gjet një qese me 1000 fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi R. A., 31 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, farat narkotike dhe automjeti tip “Benz” që drejtonte 31-vjeçari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.





