Rikthehet këtë fundjavë për artdashësit e vegjël shfaqja shumë e ndjekur e Teatrit të Kukullave “Djali miliarder”.

Të shunën dhe të dielën, në oraret 10.30 dhe 12.00 vogëlushët e kopshteve, por edhe ata ciklit fillor do të kenë mundësi të ndjekin në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit shfaqjen me regji të Ina Morinajt, e bazuar në librin “Djali miliarder” të shkrimtarit britanik David Walliams

Shfaqja është mirëpritur nga vogëlushët e Durrësit në shfaqjet e saj javët e kaluara, ndërkohë që gjatë këtyre ditëve, prindërit kanë shfaqur interes të madh për të prerë biletat për fundjavën, për t’i sjellë të vegjlit e tyre në teatrin e kukullave.

Një djalë i vogël miliarder, Xho Patatja ka vetëm një problem, nuk ka shokë. Për të gjetur bashkëmoshatarë të tij me të cilët të mund të kalojë kohën dhe të shoqërohet, ai i kërkon babait të tij që të transferohet në një shkollë publike ku askush nuk e njeh me qëllim që të mbajë sekret faktin që është një miliarder.

Aty ai njihet me Bobin, shokun e tij të ri, dhe aventurat fillojnë për të dy.

Për të mësuar më shumë mbi aventurat e Xho dhe Bobit, si dhe miqve të tyre, ju mund të ndiqni të shtunën dhe të dielën shfaqjen teatrore, e cila do të vihet në skenë në dy orare të ndryshme, në 10:30 është shfaqja e parë, ndërsa në 12:00 është shfaqja e dytë.

Për rezervime telefononi në 𝟬𝟲𝟴𝟯𝟵𝟭𝟯𝟴𝟭𝟯.