Partia Socialiste ka mbledhur strukturat në Elbasan rreth 4 muaj para zgjedhejve vendore të 30 qershorit.
Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla ka folur gjatë takimit edhe për çështjen e mandateve të opozitës, duke e cilësuar si një përpjekje për të bllokuar Prokurorinë Speciale, SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, BKH.
"Bojkoti i radhës i PD dhe LSI i maskuar si djegie mandatesh është përpjekja e radhës për të bllokuar SPAK dhe BKH. Të enjten ne votojmë në seancë plenare strukturat e KLGJ dhe KLP. Ja pse PD dhe LSI po agravohen dhe po sulmojnë institucionet. Është e rëndësishme të bëhet e qartë për liderat e opozitës që nëse ata vazhdojnë të përbuzin Parlamentin dhe mjetet demokratike, e vetmja gjë që do të arrijnë është distancimin e mëtejshëm të elektoratit prej tyre", deklaroi Balla.
Balla tha se kjo sjellje e opozitës është e papranueshme nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët nuk mbështesin as metodat e dhunshme dhe as këtë lloj retorike.
“Debati politik duhet të ndodhë brenda institucioneve shtetërore, pikë së pari brenda Parlamentit. Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane të Shqipërisë. Mandatet e deputeteve përfaqësojnë vullnetin e popullit. Djegia e tyre do të thotë injorimi i këtij vullneti”, u shpreh më tej Balla.