Pas akuzave të forta të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e quajti “akt mafioz” djegien e mbeturinave në natyrë nga bashkia Shijak në zonën e Hardhishtës, ka ardhur një reagim zyrtar nga kryetari i bashkisë Elton Arbana. Ky i fundit mohon që zjarri të ketë lidhje me institucione lokale dhe thekson se bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm nga persona dashakeqë.
Në një postim në rrjetet sociale, Arbana shkruan se zjarri është vënë në zonën e Çizmelisë në njësinë administrative Gjepalaj dhe se ekipet e emergjencave civile, zjarrfikësit nga Shijaku e Durrësi dhe banorë vullnetarë kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për të neutralizuar flakët.
Kryebashkiaku i bën thirrje policisë të identifikojë dhe të vërë para drejtësisë autorët e zjarrvënies, duke i cilësuar si “qenie të neveritshme që nuk meritojnë të jenë as shijakas e as të merren me politikë”.
Postimi i plotë:
NJOFTIM!
Në fshatin Çizmeli në njësinë administrative Gjepalaj disa dashakeqës i kanë venë flakën zonës përreth me qellime dashakeqëse.
Falenderoj grupin e emergjencave civile të bashkisë, MZSH Shijak dhe Durrës, sektorin e shërbimeve , vullnetarë të zonës që gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit kanë qënë në gadishmeri për neutralizimin e zjarrit. Ne kuadrin e bashkëpunimit ndërinstitucional , inkurajoj policinë e shtetit që të bëj identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para ligjit.
Autorë të tillë nuk meritojnë të jenë shijakas, as të meren me politikë, as të jenë familjarë por qënie të neveritshme që smeritojnë as rrespektin më te vogël. Të meresh me politikë në këndvështrimin tim është shumë më lart se sa ti vesh flakën vendit. Prandaj qytetarët ju kanë ndëshkuar sa herë ju është dhënë mundesia, e fundit 11 maj.
Zoti ju mëshiroftë në llojin tuaj …