Pas Melbourne dhe Parisi. Për Novak Djokovic u mbyllën dyert e Australian Open, ndërsa tani rrezikojnë të mos hapen edhe ato të Roland Garros, ku vitin e kaluar triumfoi duke mposhtur Stefanos Tsitsipas në finale. Në Francë është duke hyrë në fuqi, Super Green Pass, dhe nuk do të bëhen përjashtime, as për atletët e huaj.

Është ky koncepti që u theksua pas votimit të fundit nga ana e deputetëve, nga Ministrja franceze e sportit, Roxana Maracineanu, pavarësisht se në fillim organizatorët kishin lënë të kuptohej se Djokovic do të kishte mundësi të mbronte titullin në maj.

Ideja e tyre ishte të krijonin një qendër të izoluar për akomodimin e pjesëmarrësve të pa vaksinuar, ashtu si dhe për Djokovic që në këtë rast do ti duhej ti nënshtrohej një protokolli të veçantë, duke lëvizur në korridor sanitar nga hoteli në impiantin sportiv.

Ministrja franceze deklaroi: “Pasaporta e vaksinimit, do të jetë e detyrueshme për spektatorët, por edhe për ata që praktikojnë sportin, për sportistët profesioniste, francezë dhe të huaj“. Në këtë mënyrë bëhet e qartë se nuk do të jetë përjashtime për ata që nuk janë vaksinuar, apo që janë imunizuar me vaksina që nuk njihen zyrtarisht nga Franca.