Kryeministri Edi Rama ka ironizuar sërish këtë mëngjes drejtuesin politik të Partisë Demokratike në Elbasan, Tomor Alizotin.
Rama ka zgjedhur ta krahasojë Alizotin me një bretkosë. Përmes një videoje montazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Rama ka vendosur imazhin e një amfibi mbi fytyrën e Alizotit, ndërsa në sfond dëgjohet deklarata që ai bëri dje nga Librazhdi drejtuar socialistëve: “Do t’ju hamë të gjallë nëse prekni demokratët”.
“Vajmedet vajmedet… Mirë lajthitën e rrëshqitën po pse të tërë menjëherë, do thoshte Shvejku“, shkruan Rama krahas videos.
“Juve do iu hamë të gjallë nëse prekni demokratët, nëse vendosni mina s’do ju ndahemi kudo ku jeni. Ju që doni të shkatërroni Shqipërinë, ju analfabetë, ju maskarenj , do ju hamë të gjallë. Mos guxoni t’iu shkoni njerëzve nëpër shtëpia natën, mos guxoni të fusni duart ditën e zgjedhjeve. Doktor, jepi se ty të kanë më shumë frikë”, tha ai.
Kësaj deklarate Rama iu përgjigj edhe një ditë më parë nga Kuçova, duke e quajtur Alizotin ‘Ludoviku’.