Të tjera telashe për reperin e njohur Noizy-n. Këngëtarit i është djegur në Durrës Ferrari i tij me vlerë 300 mijë euro.

Policia tashmë ka prangosur autorin e kësaj zjarrvënie dhe bëhet fjalë për një të ri nga qyteti i Vlorës, Siar Konti, dhe është arrestuar pikërisht nga policia e qytetit bregdetar më datë 11 gusht.

Ai është kapur nga kamerat e sigurisë duke ecur i qetë pranë vendit të ngjarjes dhe pas sigurimit të provave të nevojshme, i riu është dorëzuar dhe e ka pranuar autorësinë e zjarrit. Në dëshminë e tij, vlonjati ka deklaruar se është paguar 2000 euro nga një tjetër këngëtar me të cilin Noizy ka patur konflikt më parë, i cili figuron të jetë jashtë Shqipërisë.

 I riu deklaroi se porosinë për djegien e Ferrarit e ka marrë nga kundërshtari i Noizy-t, reperi Cllevio Serbiano.

Pas dëshmisë, këngëtari nga Lushnja Cllevio Serbiano që emrin e vërtetë e ka Kleviol Ahmetaj, ka deklaruar për policinë se nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje dhe se problemet me Noizyn i ka sheshuar kohë parë.

Edhe pse ka dhënë këtë dëshmi, Cllevio rrezikon burgun për të disatën herë pas dëshmisë së vlonjatit nëse do të verifikohet se porosia është bërë pikërisht nga ai.

Një ditë më parë, Noizy është shfaqur i qeshur pranë kryeministrit në një foto të publikuar nga ky i fundit me mbishkrimin “Zhurmë, zhurmë”.