Nga BUJAR QESJA

Ndonëse lindja e tij është në Dardhë, me 22 maj 1942, ai mbetet një burrë i madh dhe i çquar i Durrësit. Kam shkruar shumë për këtë njeri të rrallë. Jam njohur me imtësi me jetën e tij, të familjes së origjinës, të familjes që ndërtoi deri në në muajin e 960-të të asaj që përbën 80-të vjetorin e lindjes.

Detyra e zakonshme qytetare e një publiçisti me karrierë gjysëm shekullore, me nxit të shpejtoj me këtë urim kushtuar një burri të jashtëzakonshëm. Nuk është i tillë thjesht në epitetet e mia. Por rruga e tij jetësore është e mbushur me krenarinë e një njeriu të rrallë, shumë të rrallë, që mbase për ne durrsakët mund të na qëlloj ta ndeshim sërish pas 100 apo më shumë vitesh. Një njeri që është i veshur nga maja e flokut, e deri tek gishti i madh i këmbës, me floririn e një fisnikërie të veçantë, duke na dhënë të gjithëve nga pak nga madhështia e krijuar me mundin dhe vullnetin e pazakontë.

Nuk dua të ulë asnjë, aq më shumë teksa jam në hakun e ligjshëm të urimit ndaj një mjeku dhe njeriu që se kemi privilegjin ta hasim shpesh. Ai sot mbush 80 vite jete, ekuivalencë e 960 muajve, 3840 javëve dhe e 29.440 ditëve. Duke hequr 18 vitet e arsimit të maturimit, e gjithë pjesa tjetër e kohë mbushjes së 80-të viteve është më shumë se përpjekje, vetmohimi i një njeriu që ka luftuar dhimbjen tek të tjerët, pse ta fshehim dhe duke shkurtuar ditët e t’ia. Stres, tension, dramë ka parë ky Miri Hoti, ku gjithçka ka lëvizur si në teh të thikës: ndërmjet frymës dhe ndaljes së saj.

Shef kirurgjie, drejtor spitali, deputet i parlamentit shqiptar, kryetar Bashkie, por nuk ra në prehërin e asnjërës prej tyre. Ai kudo që ndodhej, ishte as më shumë dhe as më pak kirurgu dhe doktori i të gjithëve Miri Hoti. As kam ndërmënd të bie në superlativa, të cilat në këtë rast nuk duhen kursyer. Hiperbolizimi vjen krejt natyrshëm: kemi ne sot kirurgë si Miri Hoti?! Absolutisht që jo. Profesionalizmi i tij e ka ngritur stekën shumë lart, aq sa edhe humanizmi. Të gjitha gjërat i ka patur me shumë: shumë dëshirë për punën, shumë dashuri për pacientin, shumë dashuri për durrsakët, shumë përkushtim për t’u bërë copash në shpëtimin e jetëve të njerëzve (dhe nuk ka shpëtuar pak), shumë gojëmbël, shumë i gjindshëm për të ndjekur të sëmurin kudo që të ndodhej.

Edhe kur veshi rroben e zyrtarit, nuk e mbante gjatë, pasi edhe në zyrë kishte rroben e bardhë të mjekut. Nuk hoqi dorë nga profesioni. Ai mbeti kudo dhe kurdoherë thjesht doktor Miri Hoti. Bluza e bardhë dukej shumë e artë, pasi ashtu ishte dhe mbeti zemra i këtij njeriu, që ka lindur vetëm për të shtuar jetën e të sëmurëve. Sukseset kanë qenë të sigurta, pasi Miri Hoti zotëronte çdo qelizë të trupit të pacientit. Ai ishte dhe mbeti burim i kurajos, për t’i dhënë optimizëm edhe të sëmurëve me sëmundje të pashërueshme. Miri Hoti është mjeku që duhet. Ai mbetet deri në këtë moshë, mjeku që kurrë nuk mund të zëvëndësohet. Ai bëri historinë më të mirë të mjeksisë dhe kirurgjisë durrsake. Mbajti gjallë vetë ekzistencën e saj.

Kaloi një kovid të vështirë. Trupi i tij i bëshëm si lis, u lëkund disi. Bekimi i njerëzve rrodhi si lumë. Nuk mbeti njeri pa u lutur, që Miri Hoti ta kalonte atë situatë delikate që e preku, si shumë njerëz në atë pandemi të rrezikshme. Dhe rezistoi. Dhe mbijetoi. Tani është i gatshëm të presë urime.Krejt e natyrshme kjo. Është ditë më ditë në 80-të vjetorin e lindjes.

Nuk e di i sati mund të jem, në urimin që i bëj me këtë rast. Por kjo s’ka rëndësi. Mijrat e njerëzve janë të bashkuar sot, pasi kanë një të drejtë të pakundërshtueshme. Urojnë për jetëgjatësi, për shëndet mjekun e tyre, kirugun e tyre, të mirin Mirin e tyre.

Në këtë ditë të 22 majit 2022, Miri Hoti ka 80-të vjetorin e lindjes. Me gëzimin e tij, është bashkuar edhe gëzimi i jonë. Dhe kemi të drejtë. Sa gëzime të tilla na ka dhënë ky burrë i madh, ky burrë i mënçur, ky kirurg shumë i zoti. Mjeksia durrsake zor se e përsërit një të dytë. E ne do të mjaftojmë me mitin që krijoi ky njeri shumë i urtë, por që ruajti një modesti për t’ia pastur zili, si vetë shembullin që krijoi.

Miri Hoti në 80-të vjetorin e lindjes. Urime doktor! Urime mrekullia e qytetarisë durrsake! Të duam edhe për shumë kohë pranë! Dhe me siguri kjo do të ndodhë!

Durrës: 22 maj 2022