Seanca gjyqësore për çështjen e njohur si dosja “Partizani” është shtyrë për në datën 21 korrik 2025 ora 10:30, pasi ish-kryeministri Sali Berisha nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit.

Prokurori i çështjes, Arben Kraja, kërkoi shtyrjen e seancës me argumentin se Berisha nuk është njoftuar zyrtarisht për zhvillimin e saj.

Sipas Krajës, njoftimi i është dorëzuar dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, i cili ka marrë përsipër ta informojë Berishën, por ka deklaruar se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë në mënyrë të duhur.

Në seancë u paraqitën të pandehurit Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Begeja. Ndërkohë, i pandehuri tjetër, Fatmir Bektashi, u përfaqësua vetëm nga avokati për shkak të problemeve shëndetësore. E pranishme nuk ishte as Andia Pustina, e cila ka zgjedhur të përfaqësohet në proces përmes mbrojtësit të saj ligjor.

Shtyrja e radhës në këtë proces vjen në një kohë kur pritet që Gjykata të shqyrtojë në themel provat dhe argumentet mbi pretendimet për shpërdorim detyre dhe përfitime të paligjshme në lidhje me truallin e ish-Kompleksit “Partizani”.