Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një qëndrim zyrtar duke kundërshtuar draftin për rritjen me 2% të pagës referuese për magjistratët. Drafti i propozuar nga Partia Socialiste, pritet të kalojë nesër në Kuvend për votim pavarësisht se u kundërshtua nga të gjithë aktorët e drejtësisë të thirrur për dëgjesë në Komisionin e Ligjeve.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ky projektligj nuk garanton zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje si dhe krijon diferenca mes niveleve të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive.

“Në mungesë të një drafti formal të përcjellë zyrtarisht për konsultim, bazuar në përmbajtjen e projektligjit të publikuar në muajin korrik 2026 në faqen zyrtare të Kuvendit, si dhe në diskutimet publike të zhvilluara, vlerësojmë se projektligji ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’’, në parim nuk garanton zbatimin e plotë dhe efektiv të Vendimit nr.15, datë 17/02/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe standardet kushtetuese të përcaktuara në të. Ky projektligj krijon diferenca të pajustifikuara dhe jo harmonike mes niveleve të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive”.

Kujtojmë se më 17 shkurt të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, që kundërshtonte ligjin për pagat e magjistratëve dhe ka shpallur antikushtetuese disa dispozita të këtij ligji të miratuar në vitin 2023, i cili ndryshonte formulën e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Me ndryshimet ligjore të vitit 2023 paga e gjyqtarëve llogaritej sa 0.36 e pagës së presidentit të Republikës. Kushtetuesja tha se kjo ishte një ulje e fshehtë dhe antiligjore ndërsa i la detyrë Parlamentit të ndërhynte për të rregulluar hapësirën ligjore. I vetmi veprim që u ndërmor ishte depozitimi në Kuvend i propozimit të një formule të re që e rriste pagën nga 0.36% sa ajo e presidentit në 0.38%.

Në mungesë të ndërhyrjes së Kuvendit, KLGJ dhe KLP vendosën të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke rritur pagën referuese të magjistratëve nga 156 mijë e 800 në 222 mijë e 425 lekë, si dhe duke ruajtur shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.