Ditën e sotme (27 qershor), pritet të përfundojë procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës, teksa deri më tani vetëm dy qendra votimi kanë mbetur për t’u rinumëruar.
Edhe pse ka qenë kërkesa e Partisë Demokratike – Koalicioni për Shqipërinë Madhështore, që të zhvillohej procesi i rinumërimit, me pretendimin se ka pasur parregullsi, ka qenë ky subjekt politik që ka humbur më shumë vota.
Deri më tani, Partia Demokratike ka humbur mbi 590 vota, ndërsa Partia Socialiste mbi 370 të tilla. Këto janë numra të konsiderueshme të votave të pamerituara, por një pjesë e kandidatëve kanë hedhur akuza ndaj KAS për mënyrën se si janë vlerësuar fletët e votimit. Një prej tyre është Erion Braçe nga radhët rozë, ndërsa nga ato blu, Ilir Alimehmeti. Këta të dy, e kanë lidhur fenomenin e humbjes së votave me ndryshimin që KAS-i ka bërë në numërim, duke akuzuar se janë quajtur si të pavlefshme fletët e votimit.
Ndryshimet e bëra në numrat e votave, janë konsideruar si gabime njerëzore. Sakaq, nuk ka ndryshim mandatesh në asnjë prej subjekteve politike.
Sakaq, javës tjetër do të nisë procesi i rinumërimit për qarkun e Fierit. Njësoj si për qarkun e Tiranës, do të rinumërohen edhe votat e subjekteve politike, e ato të kandidatëve.