Numërimi i votave për subjektet politike në Durrës vijon vetëm në dy KZAZ (nr.23 dhe nr.25), nga të cilat pritet të përcaktohet rezultati final në bazë qarku për zgjedhjet e 11 majit.

E ndërsa dominanca në vota e Partisë Socialiste vijon të thellohet me kalimin e orëve (në 12.00 ishte 15.722 vota), ajo që bie në sy nëse i referohesh rezultateve zyrtare të publikuara nga KQZ është diferenca e thellë që PS ka me koalicionin opozitar në bashkinë Durrës, në krahasim me 2 bashkitë e tjera në rang qarku.

Ndërsa në Shijak diferenca është 1852 vota në favor të PS, në Krujë është koalicioni PD-ASHM që rezulton fitues me diferencë të ngushtë votash prej rreth 200 votash.

Hambari i votave për PS-në në këto zgjedhje ka qenë bashkia Durrës, ku pavarësisht se numërimi nuk është mbyllur ende diferenca është rreth 14 mijë vota në orën 12.00.

E ndërsa në vetëm në një nga 5 njësitë administrative të Durrësit, PD rezulton fituese, brenda në qytet ajo ka marrë një humbje të thellë.

Në orën 12.00, PD-ASHM rezulton me 19.231 vota ose 34.59%, ndërsa PS ka 30.273 vota ose 54.46%. Diferenca është 11.042 vota.

Por ajo që është më e trishtë është humbja e PD – ASHM në lagjet kryesore të qytetit, në qendrën historike të tij, aty ku jetojnë e votojnë disa nga figurat më të njohura të kësaj partie ndër vite dhe që në këto zgjedhje u ishte besuar drejtimi i partisë në rang qarku dhe bashkie dhe që njëkohësisht disa prej tyre do të jenë deputetë të ardhshëm në Kuvendin e Shqipërisë.

Drejtuesi politik, Oerd Bylykbashi, kryetari i partisë Ardian Muka dhe kandidati i listës së mbyllur Igli Cara rezultojnë humbës në qendrat e votimit të tyre.

Nga një vëzhgim që “DurrësLajm” bëri në rezultatet zyrtare të publikuara nga KQZ për QV-të ku Bylykbashi, Muka dhe Cara votojnë rezulton se PS ka fituar me diferencë të konsiderueshme votash.

Në QV nr.1472/02 ku votoi drejtuesi politik i qarkut, Oerd Bylykbashi (listë e mbyllur), rezultati zyrtar për dy partitë e mëdha është: PD-ASHM – 167 vota dhe PS – 188 vota.

Në QV nr.1478/01, ku votoi kryetari i degës lokale të PD, Ardian Muka rezultati është: PD-ASHM – 77 vota dhe PS – 98 vota.

Në QV nr 1443/01, ku votoi kandidati i listës së mbyllur Igli Cara (listë e mbyllur), rezultati është PD – ASHM – 126 vota dhe PS – 163 vota.

Ndërsa në total në KZAZ nr.24, që përmbledh lagjet kryesore të qytetit, ku përfshihen edhe QV-të e lartpërmendura rezultati final është në favor të PS me diferencë të madhe.

PD-ASHM ka mbledhur 6.972 vota, ndërsa PS ka 11.258 vota. Diferenca është 4286 vota.

Krahas Bylykbashit, Mukës dhe Carës, në këto lagje banojnë edhe disa nga emrat e PD-së të përfshirë në listën e hapur, gjë që tregon edhe njëherë se dega lokale, strukturat, grupseksionet etj nuk kanë ditur të mobilizojnë votuesit dhe t’i bindin për të votuar për alternativën dhe programin që PD ofron.

Si një parti që në 4 vitet e fundit ka ndryshuar 4 herë kryetar (Cara, Burgija, Hoti dhe Muka), PD vazhdon të regjistrojë çdo dy vite humbje në zgjedhje (parlamentare e lokale) dhe duket se nuk ka ditur të nxjerrë asnjë mësim për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës.

Në një kohë kur drejtuesit e saj, figurat e njohura të partisë dhe kandidatët nuk arrijnë të maksimalizojnë votën në lagjet ku janë rritur e vazhdojnë të banojnë, të fitosh qytetin apo rrethinat e periferitë është krejtësisht e pamundur.

Pas humbjeve të kaluara, asgjë nuk ka ndryshuar në degën lokale dhe gjasat janë që edhe këtë herë të mos ketë “asgjë të re nga fronti i perëndimit”!

M.B.