Një ditë ndryshe ishte kjo e sotmja për anëtarët e shoqatës “Shpresë për të verbërit” Durrës. Ata kaluan një ditë të këndshme dhe mjaft argëtuese në ambientet e Qendrës së Formimit Profesional, ku me rastin e përfundimit të kursit të kuzhinës, atyre ju shtrua një drekë me gatimet e përgatitura nga kursantët.

Një dalje nga rutina e përditshme dhe nga errësira e shtëpisë e cilësoi kreu i shoqatës, Jonuz Metaj, aktivitetin e sotëm.

Pavarësisht kufizimeve fizike, anëtarët e shoqatës e shijuan në maksimum festën e organizuar për ta nga stafi i Qendrës së Formimit Profesional. Myzejene Xheka ishte ndër anëtaret që po e shijonte më shumë këtë drekë festive.

Aktivitete të tilla tashmë janë kthyer në traditë për Qendrën e Formimit Profesional, që gjithnjë u gjendet pranë kategorive në nevojë. Drejtori Agim Karaj rrëfen se krahas certifikimit të kursantëve, dita e sotme rezervoi një surprizë të bukur për anëtarët e shoqatës së të verbërve.

Qendra e Formimit Profesional Durrës ofron 40 kurse të ndryshme, ndërkohë që personat e papunë i përfitojnë falas ato.

M.B.