Vetëm në katër muajt e fundit, në portit e Durrësit janë kapur 5 ngarkesa me rreth 1 ton kokainë që vinte nga Amerika e Jugut.

Së fundmi ditën e djeshme u sekuestrua në port 7 kilogramë kokainë, por para kësaj sasie janë kapur edhe 4 ngarkesa të tjera.

Më 18 qershor, u kapën në portin e Durrësit një sasi shumë e madhe kokaine, plot 325 kg drogë që kalonte transit në territorin shqiptar me destinacion Italinë. Sasia e kokainës u gjet nga Policia e Durrësit në serbatorin e një kamioni me targa të huaja.

Më datë 10 prill, një tjetër sasi prej 134 kg e ndarë në 120 pako u kap nga Policia. Droga u gjet po në një kontejner të mbushur me banane për llogari të kompanisë shqiptare “Masabi Fruits” me seli në Kombinat të Tiranës, në anijen “Dance” që u nis nga Ekuadori.

Në datën 1 prill të këtij viti, u kap një tjetër sasi më e vogël, 49 kg kokainë, që vinte nga Amerika Latine në një kontejner me banane në pronësi të Selim Çekaj.

Gjithashtu në datën 17 maj po të këtij viti një tjetër sasi prej 400 kilogram kokainë e futur nga porti i Durrësit u sekuestrua në Kosovë.