Autoritetet greke kanë zbuluar se droni detar që u gjet një ditë më parë në një shpellë në ishullin e Lefkadës ishte i prodhimit ukrainas.
Dyshohet se mjeti lundrues ka humbur orientimin dhe është strehuar gabimisht në shpellën ku u gjet nga peshkatarët, të cilët ia dorëzuan atë rojës bregdetare greke.
Autoritetet thonë se ai nuk ndodhej prej shumë kohësh në zonë, pasi motori i tij ishte ende i ndezur. Ndërkohë, sistemi i baterive të aparaturës ushtarake mund të funksionojë jo më shumë se 72 orë, çka bën të dyshohet se ai është lëshuar nga ndonjë anije që lundron në zonë ose nga ndonjë platformë tokësore.
Lidhur me rastin po hetojnë edhe shërbimet sekrete greke, pasi vendi ku u gjet mjeti lundrues ndodhet jo shumë larg zonës së Kalamatës, vend ku, sipas publikimeve të shumta në mediat ndërkombëtare, anije cisternë trafikojnë naftë ruse dhe pasi e zbrazin atë në anije europiane, e deklarojnë më pas si naftë nga vende pa sanksione.
Frika se droni i gjetur në zonë mund të përdoret për operacione zbulimi lidhur me këtë aktivitet bën të besohet se ushtria ukrainase mund të kryejë në të ardhmen operacione luftarake për të hedhur në erë anijet ruse që kryejnë këtë lloj transporti në Detin Jon, çka do të dëmtonte rëndë ekologjinë, por edhe sigurinë e Greqisë.
Pak muaj më parë, dronë ukrainas kanë goditur dy anije cisternë ruse në Mesdhe, shumë pranë brigjeve libiane dhe jashtë brigjeve qipriote, në det të hapur.





