Më 4–5 qershor 2026, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) mirëpriti zhvillimin e DUALBA Discussion Forum, një aktivitet i rëndësishëm në kuadër të projektit Erasmus+ Capacity Building “Strengthening Capacities for the Implementation of Dual Education in Albanian Higher Education (DUALBA)”, i cili synon të mbështesë krijimin dhe implementimin e një modeli të qëndrueshëm të arsimit dual në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.

Aktiviteti mblodhi së bashku partnerët e projektit, përfaqësues të universiteteve shqiptare dhe ndërkombëtare, institucione publike, aktorë të tregut të punës, përfaqësues të biznesit dhe politikëbërës, me qëllim diskutimin e praktikave më të mira evropiane dhe përshtatjen e tyre me kontekstin shqiptar.

Forumi u hap me fjalët përshëndetëse të Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, Rektor i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, i cili vlerësoi rëndësinë e projektit DUALBA për modernizimin e arsimit të lartë dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet universiteteve dhe sektorit privat.

Në vijim, Prof. Dr. Osman Metalla, koordinator i projektit DUALBA në UAMD, theksoi rëndësinë strategjike të arsimit dual si një model inovativ që kombinon mësimin akademik me përvojën praktike në kompani dhe organizata, duke ndihmuar studentët të zhvillojnë kompetenca profesionale të kërkuara nga tregu i punës.

Pjesëmarrësit u përshëndetën gjithashtu nga Prof. Dr. Mirko Savić, koordinator i projektit nga Universiteti i Novi Sadit, i cili prezantoi progresin e arritur deri më tani dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin e modeleve të reja të arsimit.

Gjatë forumit, Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, z. Neritan Golja, ndau perspektivën e komunitetit të biznesit mbi implementimin e arsimit dual në Shqipëri. Ai theksoi se përfshirja aktive e kompanive në procesin e formimit të studentëve është thelbësore për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë. Sipas tij, modeli i arsimit dual përfaqëson një mundësi të rëndësishme për forcimin e lidhjeve ndërmjet universitetit dhe industrisë, duke krijuar një sistem më efikas për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.

Gjatë sesioneve të punës u prezantuan rezultatet e Paketës së Punës WP3, ku u diskutuan:

  • Parimet dhe struktura e modelit DUALBA;
  • Mekanizmat e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe kompanive;
  • Organizimi dhe monitorimi i praktikave profesionale;
  • Procedurat e sigurimit të cilësisë dhe vlerësimit të studentëve.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua forumit të diskutimit me palët e interesit, ku përfaqësues të universiteteve, bizneseve dhe institucioneve publike ndanë rekomandime konkrete mbi mënyrat e implementimit të arsimit dual në Shqipëri. Diskutimet evidentuan nevojën për një bashkëpunim më të fortë universitet–industri, rritjen e përfshirjes së kompanive në procesin e formimit profesional të studentëve dhe krijimin e mekanizmave që mundësojnë një tranzicion më të lehtë nga universiteti drejt punësimit.

Dita e dytë e aktivitetit iu kushtua takimit të konsorciumit të projektit DUALBA, ku partnerët diskutuan progresin e projektit, statusin e aktiviteteve të realizuara, raportimin e deliverables, aspektet financiare dhe administrative, si dhe planifikimin e aktiviteteve të ardhshme.

Gjatë takimit u analizuan rezultatet e arritura deri më tani dhe u diskutuan hapat e nevojshëm për implementimin e mëtejshëm të modelit të arsimit dual në universitetet partnere. Vëmendje e veçantë iu kushtua ngritjes së kapaciteteve institucionale, zhvillimit të infrastrukturave mbështetëse dhe forcimit të bashkëpunimit me sektorin e biznesit.

Në kuadër të aktivitetit, partnerët zhvilluan gjithashtu një vizitë në kampusin e ri universitar të UAMD-së, ku u prezantuan ambientet pranë godinës së re të universitetit, të cilat do të shërbejnë për ngritjen e Laboratorit DUALBA. Ky laborator do të jetë një hapësirë moderne dhe funksionale e dedikuar për mbështetjen e aktiviteteve të arsimit dual, zhvillimin e praktikave profesionale, organizimin e trajnimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universitetit dhe industrisë.

Vizita u shoqërua me diskutime mbi pajisjet, funksionalitetet dhe mundësitë që do të ofrojë laboratori për studentët dhe stafin akademik, duke përfaqësuar një investim të rëndësishëm në modernizimin e mjediseve mësimore dhe rritjen e cilësisë së arsimit.

Përmes aktiviteteve të zhvilluara gjatë dy ditëve të forumit, projekti DUALBA konfirmoi edhe një herë angazhimin e partnerëve për të kontribuar në transformimin e arsimit të lartë shqiptar, duke promovuar modele bashkëkohore të mësimdhënies dhe të nxënit që lidhin më ngushtë universitetin me tregun e punës dhe nevojat reale të ekonomisë.