Pasi Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencën e saj për të marrë në shqyrtim kërkesën e Fredi Belerit për t’u lejuar të bëjë betimin si kryebashkiak i Himarës ka reaguar kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili ka ndjekur seancën brenda sallës së gjyqit.

Në një prononcim për mediat, Dule deklaroi se nuk ka asnjë ligj që të ndalojë bërjen e betimit si kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit.

“Një qytetar që prezumohet i pafajshëm, që është i zgjedhur nga komuniteti i Himarës për të qenë kryetar i bashkisë së tyre. Me çfarë ligji pengohet që të shoqërohet minimalisht, për të marrë detyrën, duke nisur nga kryerja e betimit. Nuk ka asnjë ligj që e mban larg betimin dhe marrjen e detyrës përveç arbitraritetit. Është një çështje kryekëput politike. Zoti Beleri vazhdon të mbetet një i burgosur politik personalisht i zotit Rama në shërbim të interesave të tij”,- tha ndër të tjera Dule.

Seanca gjyqësore në gjykatën e Durrësit u bë me dyer të mbyllura dhe u drejtua nga gjykatësja Entela Shedula, ndërsa prokuror i çështjes ishte Gëzim Çopa.

Kreu i PBDNj-së akuzoi kryeministrin Rama dhe ish-kryebashkiakun e Himarës si personat që duan të mbajnë peng këtë njësi të qeverisjes vendore.

“Z.Rama kërkon me insistim që në krye të bashkisë të jetë ish-kryetari, të cilin e dëbuan me votë bashkëqytetarët e tij më 14 maj. Ky është strumbullari i së ligës, Rama, Goro dhe qëndrimi i Goros në mënyrë krejt të paligjshme në krye të bashkisë dhe vazhdimi i implementimit të projekteve që synojnë rrëmbimin e pronës himariotëve dhe ofrimin e saj klientëve të z.Rama dhe të qeverisë së tij”,– tha Dule.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 14 majit, por pavarësisht kësaj ai mundi të fitojë me shumicë votash përballë kundërshtarit të tij.

Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Zoti Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik. gjyqi ndaj tij nis ditën e enjte pranë Gjykatës së Posaçme. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës do të ulet në tavolinën e të pandehurve, i akuzuar nga SPAK për “korrupsion në zgjedhje”.