“Zëri ynë, forca jonë” është projekti më i ri që do t’u vijë në ndihmë të rinjve me nevoja të vecanta në qytetin e Durrësit.
Projekti nga i cili do të përfitojnë 16 adoleshentë me nevoja të veçanta fokusohet në proceset vendimmarrëse në komunitet dhe në pushtetin lokal, si dhe integrimin e këtyre të rinjve në politikat vendore rinore nëpërmjet gjithëpërfshirjes dhe aktiviteteve social-kulturore.
Kjo është hera e parë, që një projekt i tillë aplikohet në Durrës, ku numërohen mbi 700 fëmijë e të rinj me nevoja të veçanta.
“Ky projekt është aplikuar për dy vite me radhë në qytetin e Tiranës, me shumë sukses. Nga kontaktet që kam pasur paraprakisht me prindërit , kam njohur shumë të rinj që kanë talent në pikturë, në skulpturë dhe shumë prej tyre e kanë marrë drejtimin e tyre të jetës, drejt një profesioni. Projekti po aplikohet njëkohësisht në Durrës, në Elbasan dhe Kamëz. Në Durrës janë përfshirë 16 të rinj me nevoja speciale. Nëpërmjet këtyre të rinjve ne duam që ata të lobojnë fort për të drejtat e tyre, për të rritur kapacitetet dhe për t’u përfshirë sa më shumë në vendimmarrjen e bashkisë Durrës“,- deklaroi administratorja e qendrës TISS, Eni Xhafa.
E pranishme në prezantimin e këtij projekti, ishte drejtoresha e Shërbimit Social Durrës, Meme Xhaferaj, e cila theksoi se fokusi i punës së bashkisë dhe i politikave buxhetore afatmesme është forcimi i rolit mbështetës institucional për këta fëmijë e të rritur, me aftësi ndryshe.
Projekti “Zëri ynë, forca jonë” shihet nga prindërit e këtyre adoleshentëve si një dritë jeshile për më shumë mbështetje për këtë kategori të rinjsh, që zhvillojnë talente të veçanta dhe në të ardhmen synojnë të kthehen në individë të pavarur.
Projekti realizohet nga qendra TISS, me mbështetjen financiare të Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.
M.B.