4 shkolla të ndryshme në 4 vite duket se janë kthyer në makth për nxënësit dhe prindërit e tyre. Shkolla 9-vjeçare “14 nëntori” në Durrës pësoi dëme të shumta nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, pavarësisht se në 2018-ën i ishte nënshtruar rikonstruksionit. Prej më shumë se 3 vitesh nxënësit zhvillojnë mësimin pasdite në shkolla pritëse, duke e vështirësuar së tepërmi procesin mësimor për ta. Sot bojkotuan mësimin, për t’u kërkuar institucioneve zgjidhjen e këtij problemi.

“Ajo çfarë na ka lënduar ne si nxënës lidhet me faktin se tranazhi i kalimit nga një shkollë tek një tjetër ka sjellë kosto që lidhen me kohën fizike për të shkuar ne shkollë referuar distancës fizike, ndryshimin e orarit standart në mësimin me turne duke sjellë mosambientim me orarin dhe ulje të shkallës së përqendrimit në mësim dhe rënie në rezultatet mësimore.

Pamundësi të përfshihemi në aktivitete të ndryshme si dhe kurse te veçanta për shkak të orarit. Më pak ose aspak argëtim”,- tha Anxhelo Kilica, anëtar i qeverisë së nxënësve.

Prindërit kërkojnë dhënien fund të këtij ping-pongu institucional, pasi janë të lodhur nga pritjet e pafundme, ndërsa shpresojnë një orë e më parë që të nisë rikonstruksioni i shkollës dhe fëmijët e tyre të kthehen në bankat e saj.

“A është tallje me fëmijët? 6 vite pritje, vajza ime është në klasë të VI këtë vit. 6 vite ping pong, kur do të mësojnë këta”,- thotë i irrituar një prind.

“Fëmijët kanë ankth, u ka mbetur që nga pandemia. Nuk po mësojnë. Ne po mbetemi pa punë duke i shoqëruar pasdite në shkollë. Kur do mësojnë këta kur mbarojnë mësimin në orën 18.00? Kush do ua kontrollojë detyrat?”,– pyet një tjetër prind.

Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “14 nëntori” do të realizohet me fondet e Bashkimit Evropian, në kuadër të programit EU4School. Deri më tani procesi ka qenë i bllokuar për shkak të një vendimi gjykate, ndërsa burime pranë bashkisë konfirmojnë për “DurrësLajm”, se rikonstruksioni do të nisë në muajin prill. Shkolla do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, ndërkohë që palestra e saj do të shembet dhe rindërtohet nga e para.  

M.B.