Lot dhimbje dalin nga sytë e Sotiries së sëmurë, por dhe nënës së saj Katerinës.

Prej 3 muajsh, Katerina Kamberi nuk ka marrë paratë e kujdestarisë së vajzës dhe për këtë shkak nuk ka paguar qiranë e shtëpisë, që ndodhet pranë “Fushës së rërës”.

Nënë e bijë kanë kaluar mbrëmë natën në ambientet e spitalit të Durrësit, sepse kanë mbetur në mes të 4 rrugëve.

“Më kanë thënë që do t’i kalojmë lekët në fillim të dhjetorit. Po deri atëherë ku do rrimë ne? Pronari i banesës më ka ul qepenin. Ku të shkoj? Prapë te spitali sonte?”,– thotë Katerina e dëshpëruar.

Pavarësisht se ka trokitur në dyert e shumë institucioneve, Katerina thotë se nuk ka gjetur mbështetje.

Vajza e saj, Soririe, vuan nga probleme të shëndetit mendor e prandaj e ëma nuk mund ta lërë për asnjë moment vetëm.

“Vajza vuan nga epilepsia si dhe probleme të shëndetit mendor. Gjatë ditës ka nevojë për mua, nuk mund ta lë vetëm”,– thotë Katerina, e cila rrëfen se mungesa e parave shpesh u pamundëson edhe ushqyerjen e rregullt.

Situata ekonomike e dy anëtareve të kësaj familjeje është shumë e vështirë.

“DurrësLajm” u interesua pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror Durrës, ku drejtuesit na komunikuan se janë në dijeni të problematikës, por mosmarrja e kempit ka lidhje me problemet e ndodhura me portalin e-albania, pas sulmit kibernetik.

Sipas drejtuesit Petrit Ismailati, në dhjetor Katerina do t’i marrë të gjitha paratë e këtyre muajve.

Por, aktualisht, nënë e bijë kanë një kërkesë të vetme: Një barakë ku të fusin kokën….

M.B.