Besimtarët ortodoksë festojnë ditën e diel Pashkët, të cilat simbolizojnë ringjalljen e jetës dhe të shpresës. Në urimin e tij për besimtarët, at Spiro Kostoli nga katedralja e apostul Pavlit dhe shën Astit në Durrēs vuri theksin në rëndësinë e solidaritetit dhe mbështetjes qē duhet të tregojmë ndaj njëri- tjetrit në këto kohë sfidash të vështira.

“Krishti u ngjall. Ky është urimi që ne të krishterët ortodoks japim në ditën e ngjalljes së zotit të perëndisë dhe shpëtimtarit tonë Jezus Krishtit. Këto vitet e fundit kemi kaluar sprova të ndryshme sidomos në qytetin tonë, duke filluar me tërmetin, duke vazhduar me pandeminë dhe tani jemi në kushtet e një krize mbarëbotërore, ku të gjithë ne ftohemi në këtë dritë të Pashkës të Zotit që të kemi më shumë shpresë dhe më shumë solidaritet dhe mbështetje për njëri-tjetrin, të gjithë ftohemi që në këto ditë të madhe dhe të shenjtë të ndihmojmë një njeri që është pranë nesh që ka nevojë për ndihmën tonë. Dhe kështu duke qenë solidarë dhe duke qenë mbështetës të njëri-tjetrit, atëherë do të kalojmë çfarëdo lloj sprove. Dua t`i uroj të gjithë të krishterëve gëzuar Ditën e Pashkëve. Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”,- tha at Spiro Kostoli për “DurrësLajm.

Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë dhe quhen Kreshme. Kjo përkujton 40 ditët e kaluara në shkretëtirë të Jezusit në lutje e agjërim dhe që sprovohet nga Djalli. Në ditën e Pashkës sipas Biblës, fiton jeta mbi vdekjen me ringjalljen e Jezu Krishtit.

Simboli i ditës së Pashkës janë ngjyrosja e vezeve të kuqe të cilët simbolizojnë jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

M.B.