Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen nr.13 të Durrësit, ku një shtetas ka denoncuar se është kërcënuar me armë zjarri dhe i janë marrë 150.000 lekë.
Pas kallëzimit të bërë nga viktima, A. I., policia identifikoi katër autorë të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të menjëhershme hetimore, është arrestuar një prej tyre, shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Durrës, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim: R. I., 40 vjeç, L. I., 20 vjeç dhe E. M., 34 vjeç.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Dyshohet se i morën një shumë parash një shtetasi, duke e kanosur me armë zjarri, identifikohen 4 shtetas. Vihet në pranga njëri prej tyre, punohet për kapjen e 3 të tjerëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës, menjëherë pas kallëzimit nga shtetasi A. I., se dje, në lagjen nr.13, Durrës, 3 shtetas i kishin marrë 150.000 lekë, duke e kanosur me armë zjarri, kanë kryer veprimet hetimore për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur rrethanat e rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kap dhe u vu në pranga njëri nga autorët e dyshuar të rastit, shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Durrës, dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerët, shtetasit R. I., 40 vjeç, L. I., 20 vjeç dhe E. M., 34 vjeç, të tre banues në Durrës.
Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.