Një orë para shembjes së kontrolluar të pallatit 6-katësh të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, gjithçka është bërë gati në vendngjarje.

Godina, e cila ndodhet në zonën e plazhit në Durrës, është rrethuar me shiritët e sigurisë, ndërsa brenda saj janë vendosur rreth 4 kg eksploziv.

Në katet e para janë vendosur një sasi e konsiderueshme thasësh me rërë, për të frenuar forcën e shpërthimit dhe dëmtimin e godinave rreth e qark saj.

Një ditë më parë, bashkia Durrës njoftoi se “Në zbatim të vendimit të këshillit bashkiak dhe ekspertizës së thelluar të Institutit të Ndërtimit Tiranë, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Durrës (IMT) në bashkëpunim me Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe forcat xheniere të ushtrisë Ministria e Mbrojtjes Tiranë kanë planifikuar prishjen me shpërthim të kontrolluar të pallatit 6 katësh, ADC, në lagjen 13 Plazh, në njësinë administrative nr.5, rruga “David Selenica”, Nr.18, Durrës”.

Për arsye sigurie, të gjithë banorët e banesave dhe bizneset që ndodhen pranë këtij pallati, nga ora 12.00 deri në orën 16.00 duhet të jenë larguar nga banesat dhe subjektet e tyre dhe të marrin masa duke lënë hapur dritaret dhe dyert e banesave dhe subjekteve të tyre, të ulin në dysheme televizorë, kompjuter, si dhe çdo pajisje tjetër që e shohin të arsyeshme.

Shpërthimi do të kryhet në orën 14.00.