Kandidati i koalicionit Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore në Durrës, Igli Cara ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas përfundimit të zgjedhjeve.

Ai falënderon qytetarët që votuan lirshëm dhe veçanërisht ata që vijuan të besojnë tek opozita, duke refuzuar mekanizmat e shitblerjes së votës.

Cara shpreh mirënjohje për strukturat e PD në Durrës dhe bashkëpunëtorët në garë, ndërsa e cilëson procesin si me “shumë dritëhije”.

“Rezultati kërkon analizë dhe përballje qytetare e politike,” shkruan ai ndër të tjera, duke nënvizuar se misioni opozitar nuk mund të vijojë pa mbështetjen e qytetarëve.

Postimi i plotë:

Në përfundim të një proçesi me shumë dritëhije, falenderimi i parë i shkon çdo bashkëqytetari që shprehu vullnetin e tij të lirë dhe të pakushtëzuar!

Në mënyrë të veçantë, kujtdo që vijoi të besojë tek opozita, duke mos u bërë pjesë e mekanizmit të shitblerjes së votës.

Mirënjohje për çdo anëtar të PD Durrës, komisioner, numërues e vëzhgues demokrat!

Vlerësim për çdo bashkëudhëtar të kësaj gare, që u përball me një proçes të vështirë, por ia doli ta përballojë me dinjitet!

E kuptueshme që ky rezultat kërkon analiza dhe përballje politike e qytetare, ndaj misioni ynë sa vjen dhe bëhet më i vështirë dhe nuk mund të vijojë pa mbështetjen tuaj!

Faleminderit me zemër!