Zjarrfikësit janë një hallkë e domosdoshme në zinxhirin e strukturave të specializuara në gatishmëri të përheshme. Por pavarësisht rëndësisë dhe efikasitetit që ata duhet të kenë në raste ndërhyrjesh, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit nuk ndjekin një shkollë të mirëfilltë për përgatitjen e tyre.
“Ne nuk kemi shkollë të zjarrfikësve të mirëfilltë. I kemi rekrutuar njerëzit duke i afruar pranë shërbimit tonë. Psh kemi marrë kimist, inxhinier etj. Është duke u ndërtuar tashmë, ka nisur kjo punë. Jemi në rrugë të mbarë”,- tha Luan Shehaj, shef i MZSH Tiranë.
Për të rritur efikasitetin e ndërhyrjes së efektivëve të MZSH-së, në bazën e Hekurudhës në plazh u realizua një trajnim taktiko-rreshtor gjatë të cilit u improvizua një rast rënie zjarri në vagonë që transportonin lëndë të rrezikshme.
Shefi i shërbimit zjarrfikës, Luan Shehaj, që drejtoi operacionin, ishte i kënaqur me koordinimin e të gjitha strukturave për një ndërhyrje sa më efikase. Sipas tij, pranë MZSH Tiranë dhe Durrës tashmë janë ngritur strukturat e gatshme për ndërhyrje në raste përmbytjesh etj.
“Në Tiranë dhe Durrës është ngritur grupi i përmbytjeve, është grup special që mund ta çosh në çdo vend. Në Tiranë kemi ngritur dhe një skuadër speciale të mbrojtjes kundër kimike dhe një tjetër për aksidentet, për shpëtimin nga lartësitë apo thellësitë”.
Të pranishëm gjatë trajnimit ishin dhe përfaqësues të Komunitetit Evropian, që mbikqyrën nga afër të gjithë operacionin e shuarjes së zjarrit.
M.B.