Policia e Durrësit ka finalizuar orët e fundit operacionin policor të koduar “Laboratori”. Sipas policisë, 5 persona janë arrestuar, ndërsa është shpallur në kërkim 1 tjetër, pasi pajisnin udhëtarët me teste të shpejta për “COVID-19”, pa qenë të licencuar,

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. H., 34 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallrat e tjera”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi”;

E. A., 24 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi”;

E. Ç., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi”;

A. S., 24 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Moskallëzim krimi”;

A. P., 25 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Moskallëzim krimi”;

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. H., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi”.

Sipas policisë, “këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në një laborator në lagjen nr.4, Durrës, duke përfituar nga situata e pandemisë “COVID-19”, kanë pajisur me test “Rapid”, 483 shtetas të cilët do udhëtonin në drejtim të Italisë, pa qenë të licensuar nga instancat përkatëse, në kundërshtim me Urdhrin datë 23.07.2020 “Për miratimin e procedurës së kryerjes së testimeve molekulare RT-PCR, për SARS CoV-2 dhe njohjes së laboratorëve jopublike për kryerjen e testimit për nevoja administrative”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.