Një 53 vjeçar me inicialet L.Ç është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi mbrëmjen e së enjtes është shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke premtuar legalizimin e shtëpive kundrejt shumës 4000 deri në 6000 euro.

I arrestuari prezantohej si sekser i drejtorit të Kadastrës së Durrësit dhe mashtronte qytetarët.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Durrës arrestuan shtetasin L. Ç., 53 vjeç, banues në Durrës.

Mbrëmjen e së enjtes, ky shtetas është shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke folur në emër të drejtuesve të Kadastrës së Durrësit, në rolin e sekserit, për të legalizuar banesat, kundrejt shumës 4000 deri në 6000 euro.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Policia e Durrësit falënderon mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton që të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të rasteve të paligjshmërive që ata ndeshin gjatë punës së tyre.