Pritjet e gjata të klientëve jashtë bankave të nivelit të dytë janë një fenomen që përsëriten çdo ditë në Durrës. Për shkak të masave kufizuese të pandemisë, vetëm pak klientë lejohen të futen në ambientet e bankave, ndërsa të tjerët presin për minuta, madje dhe orë të tëra të marrin shërbim.

“DurrësLajm” ishte mëngjesin e sotëm tek BKT, ku radhët e qytetarëve nuk kanë të sosur, përgjatë gjithë ditës.

Megjithëse janë të pajisur me numër, qytetarëve u duhet të presin nën temperaturat e larta për një kohë të gjatë, madje ndonjëherë largohen edhe pa mbaruar punë.

“Kam që në orën 06.00 që kam ardhur dhe në vend që të isha nr.3 kam nr. 11”,- thotë një qytetare. Një ditë më parë, ajo ka pritur nga ora 09.00 deri në orën 17.00 për të mbaruar punë madje ka shkuar edhe tek filiali tjetër i bankës, që ndodhet në Shkozet.

Sot i duhet të presë prapë në radhë duke rrezikuar edhe ditën e punës.

Kam lënë punën dje, e kam lënë dhe sot. Rrezikoj të më heqin fare nga puna, se nuk lihet puna për të pritur radhën këtu”,- thotë ajo e indinjuar.

Disa prej klientëve që presin kanë zënë bordurat apo ndonjë cep trotuari për t’u ulur dhe për të lehtësuar disi pritjen e gjatë.

Vonesat e gjata janë të lodhshme edhe për një biznesmen italian, që së bashku me shumë qytetarë durrsakë pret në radhë. Sipas tij, banka ka mungesë në staf për shkak të pushimeve dhe kjo reflektohet tek radhët dhe pritja e gjatë.

Biznesmeni italian prej kohësh ka kontakte të vazhdueshme me bankën, por pranon se në çdo periudhë ka gjithnjë radhë klientësh që presin.

“Kështu funksionon këtu në Shqipëri”,- thotë ai, ndërsa thekson se pritja po e vonon për t’i kaluar pagën punonjësve.

Shërbimi është zero”,- thotë një qytetar, që e shpreh dukshëm pakënaqësinë e tij.

Ndërkohë, për një tjetër klient një zgjidhje më e mirë do të ishte një numerator i jashtëm, ku të shfaqej radha e gjithsekujt, duke bërë të mundur që qytetarët të mos presin nën diell dhe para derës së bankës thirrjen e emrit nga ana e rojes së sigurisë.

I vetmi që komunikon me klientët që presin jashtë dyerve të filialit të bankës është roja i objektit, të cilit shpesh i duhet të durojë pakënaqësinë e qytetarëve. Në jo pak raste, ndërhyn për të dhënë shpjegimet e nevojshme dhe për të qetësuar klientët e inatosur.

Të ndodhur para masave kufizuese që parandalojnë grumbullimin e qytetarëve në ambiente të brendshme për shkak të Covid-19, bankat gjejnë si zgjidhjen më praktike lënien jashtë të dhjetëra klientëve, që presin për orë të tëra nën diellin përvëlues të këtyre ditëve të nxehta vere.

Ndërsa për çdo shërbim që ofron banka mban komisionin përkatës, që për hir të së vërtetës janë “të kripur”, nga ana tjetër nuk u ofron klientëve as kushtet më minimale të pritjes.

BKT është banka më e madhe në vend, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, por pavarësisht se përditë jashtë ambienteve të saj grumbullohen me dhjetëra qytetarë që presin të marrin shërbim, asnjë veprim s’është ndërmarrë nga ky institucion për t’u garantuar klientëve një pritje më dinjitoze.

M.B.