Një vit më parë, tregtarët e markatës së Durrësit u larguan nga ambientet për t’i hapur rrugë rikonstruksionit të saj.

Një vit më pas, problematikat e markatës janë të shumta, megjithëse rikonstruksioni mendohej se do t’i jepte zgjidhje.

Tregut të fruta-perimeve vazhdojnë t’i mungojnë 94 banakë dhe sipas tregtarëve akoma nuk kanë një afat konkret se kur do të kompletohet e gjithë markata me to.

“Një vit e ca dhe banakët ende s’i kanë sjellë. Na kanë thënë që do të kompletoheni, po se kur nuk dihet. Nuk është normale fare. Nuk e di se çfarë bëhet me këtë lloj tregu”, thotë një prej tregtarëve.

“Na dëmton se është rrëmujë, nuk merret vesh. Njerëzit kanë zënë hapësirat sipas qejfit. Kanë zënë nga 2-3 vende, nga 5. Rrëmujë hesapi, nuk merret vesh. Se kur do vijnë nuk e dimë”,– thotë një tjetër.

Çadrat e plazhit janë zhdukur nga markata. Për të ruajtur mallin nga rrezet përvëluese të diellit, tregtarët kanë vendosur në të gjitha vetratat bukë peshku. Zgjidhja provizore është bërë nga vetë ata, me paratë e tyre, pasi pushteti vendor nuk ka ndërmarrë asnjë masë për t’i dhënë zgjidhje problematikës së ngritur nga tregtarët rreth një muaj më parë përmes mikrofonit të “DurrësLajm”.

“E kemi bërë ne vetë, duken nuk ka nevojë për koment. Duhen sepse ndryshe prishet malli. Është vapë e madhe”.

“I kemi vendosur provizore, për arsye të diellit, se ndryshe bie dielli dhe prish mallin”.

Një tregtare ka një tjetër shqetësim, depërtimin e shiut në kohë reshjesh brenda në markatë, tek vendi i saj i punës.

Për të kufizuar harxhimet e energjisë elektrike, zgjidhja e projektuesve ka qenë e thjeshtë dhe alla shqiptarçe, lënia e tregtarëve pa burime të furnizimit me energji. Rituali i përditshëm për këta të fundit është marrja me vete e peshores elektronike, për ta karikuar në shtëpi.

9 muaj kohë për të përfunduar një rikonstruksion gjysmak markate, por përfundimi është larg projektit të bukur që ju paraqit tregtarëve dhe qytetarëve korrikun e vitit të kaluar.       

M.B.