Një turist gjerman që ndodhej prej disa ditësh për një vizitë turistike në qytetin e Durrësit është përballur ditën e fundit të qëndrimit të tij me një episod tronditës. Ndërsa ndodhej pranë një furre buke në rrugën “Taulantia”, në lagjen nr.1 të Durrësit është kafshuar në këmbë nga një qen rruge.

Fotot e mbërritura në redaksinë e “DurrësLajm” dëshmojnë plagën e thellë që është shkaktuar në këmbën e të huajit, i cili është shoqëruar me urgjencë në spital nga një qytetar i Durrësit. Pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga bluzat e bardha dhe i është qepur plaga, turisti është nisur drejt aeroportit të Rinasit, pasi do të udhëtonte drejt vendit të origjinës.

“Unë i kam njohur qentë si kafshë paqësore dhe shumë të dashura, por pas kësaj ngjarjeje nuk jam më i sigurt nëse ata janë vërtet të tillë”, – tha turisti pak para largimit nga Shqipëria.

Kafshimet nga qentë e rrugës janë një fenomen i njohur në qytetin bregdetar dhe viktimë e tyre kanë mbetur jo vetëm banorët vendas, por edhe të huajt.

Shqetësimi është ngritur edhe në një nga mbledhjet e Këshillit Bashkiak Durrës nga njëra prej këshilltareve, e cila pohoi se gjithnjë e më shumë në Spitalin Rajonal po paraqiten shtetas të huaj, të kafshuar nga qentë e rrugës.

Qyteti bregdetar, që vitet e fundit po cilësohet kryeqyteti shqiptar i turizmit, ende nuk ka një strehëz të ndërtuar nga bashkia e qytetit, ku të mblidhen kafshët e braktisura. Të vetmet strehëza për katërputroshët e braktisur janë kryesisht iniciativa private, ku këto kafshë sterilizohen dhe mjekohen.

Më herët, “DurrësLajm” ka publikuar lajmin se ndërtimi i një qendre për trajtimin e kafshëve të rrugës, që do të ndërtohet në Katund të Ri, është në proces tenderimi dhe do të ndërtohet brenda vitit 2025. Investimi kap vlerën rreth 16 milionë lekë.

M.B.