Qëlloi me armë zjarri në drejtim të një banese në Durrës, identifikohet dhe brenda pak minutash kapet e shoqërohet në ambientet e policisë, autori i dyshuar. Në konfliktin që rrezikoi të përshkallëzohej më tej kanë mbetur të përfshirë E.Sh. 29 vjeç dhe S.M. 44 vjeç, personi që qëlloi me armë zjarri.

“Në lagjen nr.15, Durrës, shtetasi S.M., 44 vjeç, duke qarkulluar me automjet, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit E. Sh., 29 vjeç, banues në Durrës. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Autori i dyshuar i ngjarjes, pasi ka qëlluar me armë është larguar me shpejtësi por falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, brenda pak minutash është kapur dhe është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme”,- njofton policia

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.