Ujërat e zeza kanë pushtuar sipërfaqen më të madhe të kantierit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës.

Siç duket nga pamjet filmike të xhiruara nga operatori i “DurrrësLajm”, prania e ujërave të ndotura është shtrirë thuajse në të gjithë sipërfaqen ku deri në tetor të vitit të kaluar vijonin punimet për hapjen e themeleve për rindërtimin e gjimnazit të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019.

Ujërat e zeza tashmë rrezikojnë edhe sitin arkeologjik të zbuluar gjatë gërmimeve, ku në dritë doli një mozaik me figura gjeometrike dhe floreale që i përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II, si dhe disa struktura muresh.

Në kantier punimet janë pezulluar që në muajin tetor të vitit të kaluar dhe pritet të rinisin vetëm pas gërmimeve arkeologjike të shpëtimit që do të realizohen aty për të zbuluar tërësisht mozaikun dhe gjithçka tjetër që nëntoka e kësaj zone mund të fshehë.

Nga kontakti që “DurrësLajm” pati me Ndërmarrjen e Ujësjellës – Kanalizimeve na u bë e ditur se janë në dijeni të probematikës, por nuk mund të ndërhyjnë, pasi kantieri është i mbyllur dhe firma që ka realizuar më parë punimet nuk u përgjigjet.

Të njëjtat burime thonë se kompania e ndërtimit ka dëmtuar rrjetin e tubacioneve të ujërave të zeza gjatë kohës kur kryente punimet dhe nuk ka marrë masa t’i riparojë apo të kërkojë ndihmën e UKD-së.

M.B.